Prokuroria e Shkodrës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq të pandehurin Ermir Hebovija, i cili akuzohet për veprën penale “Vjedhja me armë”, të mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim.
35-vjeçari dyshohet se tentoi të grabisë më 13 nëntor të 2012-ës një argjendari nën kërcënimin e armës së bashku me dy persona të tjerë ende të paidentifikuar.
Ermir Hebovija u arrestua në maj të vitit 2024 në Spanjë, por edhe pse kanë kaluar gati 9 muaj nga arrestimi i tij, 35-vjeçari ende nuk është ekstraduar drejt Shqipërisë, kjo për shkak të një martese që ka me një shtetase franceze, marrëdhënie nga ku kanë ardhur në jetë 3 fëmijë.
Prokuroria e Shkodrës në njoftimin e saj bëri të ditur se ndaj Hebovisë është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg” dhe vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi në bashkëpunim me autoritetet gjyqësore Franceze dhe Interpol.
Organi i akuzës shton se nga hetimet e zhvilluara në bashkëpunim me policinë Shkodër dhe Europol në kuadër të procedimit penal nr.1213, të vitit 2012, u arrit të provohet se, në datën 13.11.2012, rreth orës 14:25, në vendin e quajtur lagjja “Fahri Ramadani”, të qytetit të Shkodrës, shtetasi Ermir Hebovija, së bashku me dy bashkëpunëtorë të tjerë të paidentifikuar, të maskuar dhe të armatosur me armë zjarri kanë tentuar të vjedhin argjendarinë në pronësi të shtetasit Mithat Çaku.
Në atë tentativë vjedhje ka mbetur i plagosur lehtë, vëllai i pronarit, shtetasi Ruzhdi Çaku. Hebovija para se të arrestohej, është shpallur në kërkim ndërkombëtar pas rifillimit të hetimeve nga policia e Shkodrës. Bazuar në këto hetime, në muajin shkurt 2024, Gjykata e Shkallës së në Shkodër i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me armë”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Katër muaj pas shpalljes në kërkim, në maj të 2024 u bë e mundur prangosja e tij në Spanjë. Hebovija që nga viti 2012 kur është larguar nga Shqipëria nuk ka hyrë asnjëherë më në territorin shqiptar duke qëndruar në Francë. 35-vjeçari rrezikon një dënim prej 10-20 vite burg ndërsa nëse nuk arrihet ekstradimi i tij, procesi gjyqësor do të vijojë në mungesë. Në vijim, Prokuroria e Shkodrës, shpreh angazhimin e plotë për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër shëndetit të personit dhe pasurisë së tyre.





