Policia e Tiranës ka arrestuar sot 21-vjeçarin e dyshuar si autori të tentativës së grabitjes së bankës së nivelit të dytë, “BKT” në rrugën “Hamdi Cinoimeri”, në Kombinat.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:17 të mëngjesit të së dielës kur autori Nazmi Çaka, pasi ka thyer xhamat e derës kryesore të bankës, ka mundur të hyjë brenda, ka nisur të kontrollojë sirtaret me shpejtësi marramendëse, siç duket nga kamerat e sigurisë së bankës, por nuk ka mundur të marrë asgjë, pasi është aktivizuar alarmi.
“Më datë 06.03.2017, u arrestua shtetasi Nazmi Çaka, 21 vjeç, banues me qira në Tiranë, i dënuar më parë për tentativë vjedhje, pasi ky shtetas është i dyshuar si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 06.03.2017, në rrugën “Hamdi Cenoimeri”, ku ka tentuar të vjedhi një bankë të nivelit të dytë”, njofton policia.
Sipas burimeve policore, dera e bankës është thyer me gurë, ndërsa 21-vjeçari i ka kryer veprimet për 20 sekonda.





