SHBA, 20 korrik 2014 – Ka marrë pjesë në seriale të suksesshme si “The Walking Dead” apo “The Vampire Diaries”, por së fundmi Shannon Guess Richardson është bërë protagoniste e kronikave për shkak të diçkaje që nuk ka lidhje me profesionin e saj.
Aktorja 36-vjeçare është arrestuar nën akuzën se ka tentuar të helmojë Presidentin e SHBA, Barack Obama.
Sipas mediave lokale, Richardson është dënuar me 18 vite burg dhe me një gjobë të majme pasi i ka dërguar Presidentit Obama disa letra që përmbanin ricin, një lloj helmi vdekjeprurës për të cilin nuk ekziston një anti-helm.
Historia daton gati një vit më parë kur aktorja kishte planifikuar të hemonte jo vetëm Obamën por edhe Kryebashkiakun e asaj kohe të New York-ut, gjithçka në tentativën për t’ia hedhur fajin bashkëshortit të saj, Nathan Richardson.
Arsyeja? Sepse ky i fundit i kishte kërkuar divorcin, ndaj dhe nëna e 6 fëmijëve, në atë kohë në pritje të të 7 –it kishte zhgjedhur këtë mënyrë për tu hakmarrë ndaj bashkëshortit.
Në letrat e saj ajo fliste për të drejtat kushtetuese për të mbajtur armë dhe kërcënonte se kushdo do të tentonte të shkonte në shtëpinë e saj, ajo do t’i qëllonte në kokë.
Gjithçka ishte planifikuar që të binte në kurriz të të shoqit.
Ajo kishte blerë helmin me anë të një llogarie bankare në emër të bashkëshortit dhe përdorte stampën e tij për letrat.
Gjithë ky plan, që dështoi, ishte që autoritetet amerikane të mendonin se kishin të bënin me një “terrorist”.
Megjithatë, hetuesit arritën që të zbulonin autoren pas këtyre letrave dhe arrestuan aktoren 36-vjeçare, e cila u njoh me dënimin e saj me 18 vite heqje lirie dhe gjobë prej 367 mijë dollarësh.
Vendimi u dha pak ditë më parë nga një gjykatë në Teksas.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





