Një 25-vjeçar është arrestuar sot në portin e Durrësi, i cili tentoi të ndihmonte në kalimin e kufirit me dokumente të falsifikuara të dy shtetasve nga Afganistani.
Në pranga ka përfunduar shtetasi me inicialet R.A., banues në Suedi, mbi të cilin rëndojnë akuzat për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.
Gjithashtu policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe dy shtetasit afganë.
“Specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve arrestuan në flagrancë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, shtetasin R. A., 25 vjeç, banues në Suedi, pasi në PKK Port Durrës, ka tentuar të ndihmojë që të kalojnë kufirin në mënyrë të kundërligjshme, me dokumente të dyshuara të falsifikuara, shtetasit A. B. dhe B. B., banues në Kabul, të cilët u proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.”,- thotë policia.





