Policia ka arrestuar një 31-vjeçar në Qafë Thanë, pasi tentoi të kontrabandonte në Shqipëri, mallra të licencuara të cilat i kishte fshehur në automjet.
Sipas uniformave blu mësohet se në pranga ka rënë shtetasi F. V., 31 vjeç, banues në Pogradec, i cili akuzohet për veprën penale “Kontrabanda me mallra të licencuara”.
“Në vijim të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, në PKK Qafë Thanë, në hyrje të RSh-së, u kalua në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, automjeti me drejtues shtetasin F. V. Gjatë kontrolleve, në automjet, u gjetën paketime me medikamente për importimin e të cilave kërkohet licencë e posaçme, por shtetasi F. V. po tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin F. V., 31 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të licencuara””, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.