Një sasi prej më shumë se gjysmë toni naftë kontrabandë u sekuestrua nga Policia Kufitare në Shishtavec, ndërsa në pranga ra një 55-vjeçar i dyshuar.
Bëhet me dije se K.D., banues në Kukës, po hynte nga Kosova drejt Shqipërisë me një ngarkesë prej të paktën 510 litra karburant kontrabandë, që më pas dyshohet se do e hidhte në treg.
“Si rezultat i kontrolleve në hyrje/dalje, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin K. D., 55 vjeç, banues në Kukës. Në SPK Qafë Shishtavec (foto kryesore), në hyrje të RSh-së, u gjetën në automjetin që drejtonte, rreth 510 litra naftë të dyshuara të kontrabanduara nga Kosova”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kukësit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme dhe zbardhjen e aktivitetit të paligjshëm.





