Policia e Lezhës në vijim të kontrollit të territorit me qëllim parandalimin e kultivimit të kanabisit ka arrestuar një person.
Nikoll Ndreca është arrestuar nga policia, pasi në fshatin Arrëz, Mirditë, është konstatuar në tentativë për të kultivuar bimë narkotike.
Ndërkohë autoritetet policore kanë sekuestruar në banesën e të ndaluarit një pistoletë dhe municion luftarak.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë Mirditë, në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin e kultivimit të kanabisit, kanë vijuar kontrollet në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura nga pronarët, ish-reparte ushtarake dhe në ato banesa për të cilat disponohet informacion policor se mund të ketë tendencë për kultivim të bimëve narkotike.
Si rezultat i kontrolleve, në fshatin Arrëz, Njësia Administrative Kaçinar, Mirditë, është konstatuar në tentativë për të kultivuar bimë narkotike, shtetasi Nikoll Ndreca, banues në fshatin Kaçinar, Mirditë, i cili është vënë në pranga nga shërbimet e Policisë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Armëmbajtja pa leje”.





