TEPELENE– Policia e Tepelenës ka bërë të mundur parandalimin e një vrasjeje ndërsa ka arrestuar edhe autorin e ngjarjes.
Burime nga policia bëjnë me dije se është arrestuar 36-vjeçari Fitim Bakaj pasi akuzohet se tentoi të vrasë me armë zjarri kunatin e tij.
Sipas policisë, Bakaj ka shkuar i armatosur në lokalin e kunatit të tij, me inicialet K.H, dhe po kërcënonte për ta vrarë por falë ndërhyrjes së policisë u bë i mundur arrestimi i tij dhe parandalimi i vrasjes.
Sipas policisë, 36-vjeçari kishte konflikte familjare me kunatin e tij, (burrin e motrës) dhe për këtë arsye ka marrë një armë zjarri pushkë të cilës i ka prerë qytën dhe tytën dhe e ka maskuar në një çantë krahu me qëllim që të mos diktohej nga policia dhe ka shkuar në lokalin e kunatit të tij për ta vrarë.
Gjithashtu policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe armën e zjarrit, pushkë si dhe 9 copë fishekë luftarak.
Ndërkohë materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprat penale të “Vrasjes mbetur në tentativë” si dhe “Mbajtie pa leje të armëve luftarake dhe municoneve” .





