Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se është arrestuar personi që dyshohet se sulmoi bashkëshorten e tij me sëpatë në Gadime të Ulët të Lipjanit më 24 nëntor.

“Ngjarja është cilësuar si ‘vrasje e rëndë në tentativë’. Pas zhvillimeve hetimore në mënyrë intensive, është arrestuar i dyshuari K.E. rreth orës 12:30”, tha për Radion Evropa e Lirë Kaltrina Shala, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Paraprakisht, Policia e konfirmoi rastin duke thënë se ishte në kërkim të të dyshuarit, ndërkaq viktima tha se është dërguar për trajtim mjekësor.

Viktima është duke u trajtuar në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe zyrtarët kanë thënë për mediat lokale se gjendja e saj është stabile.

Rrjeti i Grave të Kosovës shprehu shqetësim për rastin, duke thënë se gruaja “është sulmuar brutalisht me sëpatë nga ish-bashkëshorti i saj, pavarësisht faktit se ndaj tij kishte urdhër për mbrojtje aktiv”, informon Radio Evropa e Lirë.

“Ky rast tregon edhe një herë se mungesa e zbatimit të plotë të urdhrave për mbrojtje vazhdon të rrezikojë jetën e grave në Kosovë, duke dështuar t’i ofrojë mbrojtjen që ligjërisht u takon”, deklaroi ky rrjet.

Ky rrjet kërkoi që gjykata të japë vendim për vendosjen e bylyzykut për mbikëqyrje elektronike, të japin dënime meritore dhe të përshpejtojnë procedurat në rastet e dhunës në familje “dhe të mos lejojnë tolerim ndaj dhunuesve”.

“Dhuna ndaj grave është krim dhe duhet trajtuar si urgjencë kombëtare. Asnjë grua nuk duhet të jetojë me frikë, dhe asnjë urdhër për mbrojtje nuk duhet të mbetet vetëm në letër”, tha Rrjeti i Grave të Kosovës, organizatë që ofron këshillim dhe ndihmë juridike falas për të gjitha viktimat e dhunës në bazë gjinore.

Organizatat për të drejtat e njeriut dhe institucionet kanë ngritur shpesh shqetësimet për dhunën ndaj grave, teksa viteve të fundit Kosova ka shënuar rritje të rasteve të dhunës në familje. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, më 2024 ishin 2.959 raste të raportuara për dhunë në familje, ndërkaq më 2023 ishin regjistruar 2.460 raste.