TIRANE – Bashkëshorti xheloz e ka dhunuar dhe e ka prerë me thikë në fyt, por ajo e fal dhe i kërkon gjykatës lirimin e tij sa më shpejt nga burgu. Shkaku janë tre fëmijët e mitur të çiftit. Ngjarja është shënuar në një familje në kryeqytet në gusht të vitit 2012. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka dënuar me 8 muaj burg të akuzuarin për këtë episod, kryefamiljarin me inicialet B. A. Ai është shpallur i fajshëm për akuzën e “dhunës në familje”.

Sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri ishte i martuar prej disa vjetësh. Nga kjo martesë kanë lindur tre fëmijë, të cilët aktualisht janë të mitur. “Marrëdhëniet e tyre bashkëshortore nga lidhja e martesës fillimisht kanë qenë të mira. Në vitet e fundit, i pandehuri, në mënyrë të përsëritur ka ushtruar dhunë mbi bashkëshorten për motive xhelozie”, thuhej në vendimin e gjykatës. Në lidhje me episodin e dhunshëm të gushtit 2012, gjykata shprehej se “pas një konflikti që ka pasur i pandehuri me bashkëshorten, të cilën e akuzon se i kishte marrë disa dokumente të një pasurie të paluajtshme, ai ka marrë një thikë nga kuzhina dhe pasi e ka shtrirë atë në dysheme, e ka goditur me thikë në qafë, duke i shkaktuar gjakderdhje”.

Pavarësisht dënimit të bashkëshortit me 8 muaj burg, gruaja ka kërkuar lirimin e tij, duke thënë se ka për të mbajtur 3 fëmijë.