DURRES– Tentojnë të grabisin dy krerë bagëti, por kapen nga të zotët e shtëpisë. Mbrëmjen e së hënës, dy shtetas nga Durrësi, përkatësisht Gazmir Marku dhe Lesh Lleshi, kanë tentuar të vjedhin bagëtitë në shtëpinë e shtetasit P.Gj. në zonën e Spitallës, Durrës.

Por ndërsa po grabisnin bagëtitë, të zotët e shtëpisë i kanë parë dhe menjëherë kanë mundur të parandalojnë vjedhjen. I zoti i shtëpisë së bashku me dy djemtë e tij 25 dhe 21 vjeç, i kanë ndaluar hajdutët dhe i kanë mbajtur në banesën e tyre, por pa njoftuar efektivët e policisë.

Në rrugë operative policia e Durrësit ka marrë njoftim për ngjarjen dhe u ka vënë prangat dy grabitësve, Gazmir Marku dhe Llesh Lleshi. Mbi dy shtetasit në fjalë rëndon akuza për konsumimin e veprave penale  “Tentativë vjedhje në bashkëpunim” dhe “Kallëzim i rremë”.

Ndërkohë efektivët e rendit kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 64 vjeçarin P.Gj. dhe dy djemtë e tij të cilët akuzohen për  “Vetëgjyqësi”.  

Të gjithë materialet hetimore për këtë çështje iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Durrës për ndjekje të mëtejshme.