PEQIN, 11 korrik 2013 – Tre persona që dyshohet se ka qenë të armatosur dhe të maskuar kanë tentuar të grabisin me dhunë gjatë natës së enjte banesën e një çifti, në një fshat të nënprefekturës së Peqinit. 

Ngjarja e rëndë, sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Elbasanit ka ndodhur në fshatin Çelhakaj të komunës së Gjocajt . 

Sipas burimeve zyrtare grabitësit pak pas mesnate kanë hyrë forcërisht në banesën e çiftit Haki e Farie Beqiri dhe kanë tentuar të grabisnin sende me vlerë dhe paratë që kishte në shtëpi familja në fjalë. Ndërkaq çifti ka reaguar duke bërë rezistencë por është bërë pre e dhunës barbare. 

Grabitësit i kanë qëlluar me mjete të forta në fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit duke ju shkaktuar bashkëshortëve, Haki e Farie Beqiri, përkatësisht 57 dhe 52 vjeç, dëmtime serioze. 

Pas alarmit të dhënë nga të dëmtuarit grabitësit janë larguar me shpejtësi, ndërsa në vendin e ngjarjes ka shkuar policia. 

Burimet zyrtare nuk konfirmuan nëse tre grabitësit kanë qenë të armatosur e të maskuar. 

Ndërkaq bëhet e ditur se bashkëshortët, Haki e Farie Beqiri kanë mbetur të dëmtuar dhe janë transportuar në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Burime spitalore pohuan se shtetësja Farie Beqiri është dhunuar dhe goditur me mjete të forta dhe ka pësuar plagë serioze, çka e ka bërë gjendjen e saj shëndetësore mjaft serioze, ndërsa bashkëshorti i saj ka pësuar plagë më të lehta nga përleshja me grabitësit dhunues. 

Nga ana tjetër policia po punon intensivisht për zbardhjen e kësaj ngjarjeje si edhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve të saj. 

Policia ka njoftuar se ka shoqëruar 15 persona për tu marrë në pyetje në lidhje me grabitjen e orëve të para të mëngjesit në fshatin Gjosaj.

Policia po merr në pyetje personat që kanë dijeni për ngjarjen me qëllim identifikimin dhe prangosjen e autorëve të këtij krimi të shëmtuar.