VERONA, 22 shkurt 2013– Një grabitës, i veshur si grua ka tentuar të vjedhë një argjendari në Verona, por ka mbetur i plagosur nga pronari i saj. Ngjarja është regjistruar ditën e sotme. Së bashku me grabitësin e plagosur pronari i argjendarisë ka mundur të bllokojë dhe të mbajë të izoluar deri në momentin e mbërritjes së policisë edhe bashkëpunëtorin e hajdutit.
Dy grabitësit kishin hyrë në argjendari për të grabitur, por veshja e njërit prej tyre me rroba femrash e ka shtyrë pronarin e biznesit të reagojë ndaj keqbërësve, për më tepër që njëri prej tyre kishte marrë peng shitësen.
Grabitësi i plagosur është dërguar më pas në spital, ku ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa bashkëpunëtori i tij në krim, ndodhet pas hekurave.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/