DURRES, 2 maj 2013– Falë një telefonate qytetare të kryer në kohë në policinë e Durrësit si dhe ndërhyrjes së shpejtë të Patrullës së Përgjithshme të Policisë së Durrësit, pas mesnatës së sotme u arrit të kapet në flagrancë një shtetas, i cili po tentonte të vidhte një banesë në lagjen Nr.14 Shkozet.

Për ngjarjen në fjalë u arrestua në flagrancë në orën 13.00 të ditës së sotme shtetasi Eduard Ndoj, 26 vjeç, banues në lagjen Nr.15 Spitallë.

Sipas policisë ky shtetas dyshohet se rreth orës 01.50, në lagjen Nr.14, i maskuar ka tentuar të vjedhë banesën në pronësi të shtetasit M.K, 62 vjeç.

Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të njoftuara në kohë mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe në momentin e kapjes në një distancë të shkurtër nga banesa, kanë hasur në rezistencën fizike dhe kundërshtimin e 26 vjeçarit, për t’u shoqëruar e nënshtruar procedurave policore dhe proceduriale penale.

Lidhur me ngjarjen nga ana e policisë janë kryer veprimet e para hetimore dhe materialet për veprat penale të kundërshtimit me dhunë të punonjësit të Policisë  dhe vjedhjes së mbetur në tentativë iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Durrës.