Pas më shumë se një viti pas tentativës për vjedhjen me armë të një pike karburanti në Durrës, janë kapur dhe ndaluar 2 nga autorët e shpallur në kërkim.

Në prangat e specialistëve për Hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, ranë:

Xh. M., 23 vjeç dhe A. Ç., 22 vjeç, banues në Delvinë.

“Këta shtetas, në bashkëpunim me shtetasin J. M., më datë 30.03.2019, kanë tentuar të vjedhin me armë në një karburant në lagjen nr. 13, Durrës, por ngjarja është parandaluar nga shërbimet e Policisë. Shërbimet e Policisë kanë ndaluar mjetin e autorëve dhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasin J. M., ndërsa shtetasit Xh. M dhe A. Ç. kanë mundur të largohen”, njofton policia. 

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Sigurimi i mjeteve për vjedhje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.