Kandidati për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë, Hajrulla Xhivini, ka ndarë me mediat një histori të pazakontë që ndodhi tri vjet më parë, e cila përfshin një aksident motorik dhe një akt proteste para Gjykatës së Lartë. Në një intervistë për Dosja.al nga arratia, ai shpjegoi se ngjarja filloi më 20 shtator 2020, kur një grup qensh e sulmoi teksa po udhëtonte me motor në qytetin e Beratit.

Pas aksidentit, Xhivini kërkoi dokumentet nga Policia e Beratit për të ngritur një padi ndaj Bashkisë. Mirëpo, ai shprehu zhgënjimin nga drejtori i atëhershëm i SHÇBA-së, Muhamet Rrumbullaku. Kjo situatë çoi në një vendim nga Gjykata e Beratit, e cila shpalli moskompetencë dhe tentoi ta kalonte çështjen në Gjykatën Administrative.

Xhivini e ankimoi vendimin në Gjykatën e Lartë, por sipas tij, kjo gjykatë e mbajti të vonuar rastin për një vit të tërë. Kjo e detyroi atë të protestonte në një mënyrë ekstreme, duke urinuar para godinës së Gjykatës së Lartë dhe duke e postuar videon në TikTok.

Ai gjithashtu ngriti akuza të rënda ndaj autoriteteve shqiptare, duke thënë se kishte pasur tentativë për ta helmuar në Rinas. 

Unë pësova një aksident në datën 20 shtator 2020, mu turrën qentë e rrugës. Pasi nuk kishte shumë drita, rash nga motori dhe pësova një aksident të rëndë. Banorët thërritën ambulancën dhe pas 5 minutash vjen policia që me kthen dhe më ndihmon. Policia në ato momente më kërkon patentën dhe në atë kohë më thanë që po vjen ambulanca. Për 2-3 ditë isha në spital me qepje nga të gjitha anët, më pas u transferova në Milano. Këtu isha në urgjencë deri sa hoqa penjtë. Pasi erdha në Berat, kërkova dokumentat. Në atë kohë takova Nallbatin, edhe pse më tha se do të japim dokumentat, nuk mi dhanë sepse une e fitoja gjyqin kundër Bashkisë Berat.

Më pas u ankova në SHÇBA, u dërgova një email, pasi në telefon nuk më përgjigjeshin. Në Rinas më ka ardhur emaili nga SHÇBA, por pa asnjë përgjigje. Drejtori i SHÇBA-së Muhamet Rrumbullaku më tha se kisha marrë një gjobë për shpejtësi, unë nuk kisha asnjë ide për gjobën. Gjobën që mora e kisha me firmë të falsifikuar. Në Berat bëra kallëzim, por nuk më dhanë kopje. Prokuroria kishte mbyllur çështjen dhe në atë kohë kishin shkruar në dokumenta që unë nuk kisha dhënë asnjë emër dhe asnjë detaj për ngjarjen. 

Në gjykatën e Beratit kisha hapur një padi civile kundër Bashkisë për shkaktim dëmi. U bënë dy seanca, e para ishte pa praninë e Bashkisë Berat ndërsa e dyta ishte e pranishme dhe gjykata shpalli moskompetencë. Këtë vendim une e ankimova në Gjykatën e Lartë dhe më kanë sorollatur për një vit me vendime të ndërmjetme. Në atë kohë i kam shkruar Sokol Sadushit dhe më pas u vendos data e seancës gjyqsore. Kam ankimuar këtë te KLP dhe ILD dhe janë tallur. U detyra që të protestoja në Gjykatën e Lartë pas vendimit për mospranimin e kërkesës time. Kërkesën për protestën e kisha dërguar me email më përpara dhe më pas më kërkuan që të shkoja në drejtori ta firmos.

Në Gjykatën e Lartë para se të nisja protestën ka dalë Sokol Sadushi dhe unë kam bërtitur me megafon: Sokol Sadushi koka e krimit të organizuar. Rojet e Gjykatës së Lartë kanë ardhur dhe më kanë kërcënuar. Në një tjetër protestë kam shkuar i pirë më dijeninë time në mënyrë që të mos më dënonin dhe të beja gjestin e ujit të hollë në Gjykatë. Videon e bëra vetë dhe e kam publikuar në TikTok. Teksa më lanë me arrest shtëpie dhe më pas me detyrim paraqitje, më kanë helmuar në Rinas. Tashmë nuk shkoj të paraqitem sepse po tentojnë që të më helmojnë,” përfundon kandidati për drejtor Policie.

I pyetur se përse e ka bërë aplikimin për Drejtor të Përgjithshëm Policie, Xhivini u shpreh se e ka dorëzuar online dhe me qëllim që të luftojë korrupsionin. Sipas tij, kjo ngjarje që i ndodhi atij të mos i ndodhë qytetarëve të tjerë në vend. 

“Aplikimin e bëra sipas standarteve që janë, i padënuar më parë, me letër motivimi, me çertifikatë sigurie me programin luftë korrupsionit dhe me përmirësimin e teknologjisë informatike. Qëllimi im ka qenë që të luftojë korrupsionin sepse unë vetë e kam pësuar këtë të kurriz. Aplikimin e kam bërë online dhe dokumentat i kam dërguar në email si dhe në website,” tha Xhivini.