27shtator 2015 – Fitorja 5-1 e Olympiacos përballë Pas Janninas në “Karaiskakis” kaloi në plan të dytë. Goli i parë i Andi Lilës për këtë sezon në Superiligën helene dhe festa me shqiponjë u shoqërua me reagime të pakuptimta në Greqi. Nga tifozët, që e kontestuan ashpër gjestin e mbrojtësit kuqezi, e deri te mediat, të cilat pa asnjë arsye logjike e përkufizuan veprimin si simbolin e “Shqipërisë Etnike”. Në një mbrëmje ku rezultati në Pire nuk përbënte lajm, gazetat greke u përqendruan vetëm te mënyra e festimit të Lilës. Nga “gazzetta.gr”, që theksonte te polemikat dhe kontestimet ndaj shqiponjës së formuar me duar nga mbrojtësi, e për të vazhduar edhe me mediat e tjera në vendin fqinj. Ato theksonin se veprimi i Lilës shkaktoi zemërim mes tifozëve, të cilët e fërshëllyen lojtarin shqiptar, duke shkaktuar tension në një ndeshje relativisht të qetë. Gjesti nuk kaloi pa u vënë re dhe sipas “Protothema”-s, “kontestimet që zgjatën disa minuta, shkaktuan një stuhi me reagime”.
“Metrosport” theksonte se simboli i shqiponjës nuk është i panjohur në “Karaiskakis”, pasi ai është përdorur shpesh nga ylli i Olympiacos, Pajtim Kasami gjatë sezonit të kaluar. Kjo është përforcuar nga vetë Andi Lila, që në faqen zyrtare në Instagram vendosi foton e tij përkrah asaj të Kasamit duke festuar me shqiponjë, me dedikimin “jemi shqiptarë”. Mbrojtësi kuqezi u shpreh për mediat se gjithmonë i ka festuar golat me shqiponjë, që simbolizon vetëm flamurin. Ai theksoi se ky veprim tregon dashurinë për vendin dhe diçka të tillë do ta bëjë gjithmonë. Festimi i Andi Lilës rrezikon ti shkaktojë probleme lojtarit te klubi i Pas Janinës. Në konferencën për shtyp, trajneri Giannis Petrakis theksoi se në ditët në vazhdim klubi do të mblidhet ta diskutojë ngjarjen. Edhe pse nuk përjashtoi asnjë mundësi, drejtuesi i stolit theksoi se nuk është e matur të flitet menjëherë për një prishje të mundshme të kontratës dhe drejtuesit e klubit do të dalin me një përfundim pas shqyrtimit të episodit.
/portali DurresLajm/