Deti i trazuar dhe era e fortë me drejtim nga jugu kanë shakaktuar probleme të shumta në shëtitoren “Taulantia” në Durrës.
Siç shihet edhe në pamjet filmike të xhiruara nga operatori i “DurrësLajm” pak minuta më parë, zhavorri që ndodhej në kantierin e pjesës fundore të shëtitores që po rehabilitohet ka mbuluar të gjithë hapësirën publike ku kalimtarët bëjnë xhirot e tyre mbrëmësore.
Më parë pasqyruam edhe gjendjen në të cilën ndodhej shëtitorja bregdetare në zonën e plazhit, e cila ishte thuajse e padukshme nga prania e baticës.
Në pjesën fundore të shëtitores “Taulantia”, afër Sfinksit, është planifikuar të zbatohet projekti i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Qëllimi i projektit të studios spanjolle, të themeluar nga arkitekti i famshëm Ricardo Bofill, është përmirësimi i aspektit viziv të kësaj hapësire publike.
Në ndërhyrjen që financohet nga BERZH dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit planifikohet, ndër të tjera, ndërtimi i një dallgëthyesi dhe zëvendësimi i bankinës së drunjtë me pergola betoni me lartësi mbi 2 metra.
Punimet nisën vitin e kaluar, por u ndërprenë për disa muaj, për të rinisur janarin e këtij viti.





