Akuzat e forta nga trajneri Viktor Gjoni në fitoren 2-1 të Teutës në shtesë përballë Tërbunit shërbyen për të ngritur dyshime për garën dhe gjyqtarët. Megjithatë në turne, ku mbulimi mediatik është maksimal, për të dalë në një përfundim të paanshëm mjafton të shqyrtosh imazhet filmike. Vonesat e lojës nga futbollistët e Tërbunit, në synimin për të mbrojtur barazimin, nisën përpara se të nisnin 5 minutat shtesë të akorduara. Dhe zgjedhja për të fituar sekonda të vyera ishte më pak profesionistja e mundshme, duke improvizuar dëmtime të paqena, me lojtarët që shtriheshin vazhdimisht në fushë.
I tillë ishte rasti i Becit, kur kronometri tregonte 87 minuta e 46 sekonda. Me kronometër në dorë, duket qartë se vonesa e shkaktuar ishte plot 1 minutë e 40 sekonda. Vonesa e dytë u krijua nga aktivizimi i Kaçajt në vend të Martin Dedyn, në minutën e parë të shtesës. 35 sekonda iu nevojitën argjentinasit për të dalë nga fusha e lojës. Vonesa e tretë e gjatë u regjistrua në momentin e goditjes së dënimit ndaj Kadriut, që solli edhe golin e fitores së Teutës. Ndërhyrja e parregullt u shkaktua kur kronometri tregonte 95 minuta e 16 sekonda.
Prej protestave të lojtarëve të Tërbunit dhe problemeve të simuluara nga Karakaçi, vonesa ishte 1 minutë e 24 sekonda. Në total, përpara golit, Tërbuni e vonoi lojën 3 minuta e 40 sekondave. Këtyre u shtohet edhe afro një minutë protesta, nga momenti i golit të Ditës për durrsakët dhe deri në fërshëllimën finale nga gjyqtari Hamiti. Vonesat e përgjithshme, vetëm në fundin e takimit Teuta-Tërbuni shkruan në afro 4 minuta e 40 sekonda, pra thuajse sa e gjithë shtesa e akorduar. Kronometri hedh poshtë akuzat e trajnerit Gjoni për skandal nga gjyqtarët, në tentativën e dëshpëruar të pukjanëve për të marrë rezultatin e parë pozitiv pas katër humbjeve radhazi në kampionat.