Ish-komandanti Suprem i NATO-s, Wesley Clark ka reaguar në lidhje me raportimet që administrata e presidentit Donald Trump po konsideron ndryshimin drastik të strukturës së saj të komandës ushtarake. Ai argumentoi se vendimi i mundshëm do të pengonte bashkëpunimin ushtarak midis SHBA-së dhe Evropës dhe do të “kënaqte” Rusinë.

“Asgjë nuk do ta bënte Rusinë më të lumtur”, tha Clark.

Kjo deklaratë e tij vjen pasi Pentagoni po shqyrton një plan që SHBA të heqë dorë nga pozicioni i saj si komandant suprem aleat i NATO-s në Evropë. Politikani Mike Rogers u shpreh se komandat luftarake të SHBA-së janë maja e shtizës luftarake amerikane. Ai theksoi se janë shumë të shqetësuar për raportet që pretendojnë se Departamenti i Mbrojtjes po shqyrton ndryshime të njëanshme në çështjet kryesore strategjike, duke përfshirë reduktime të konsiderueshme të forcave amerikane të stacionuara jashtë vendit, mungesë të koordinimit me Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin.

Një ditë më vonë, ish-udhëheqësi republikan i Senatit Mitch McConnell  argumentoi nëse administrata do të vepronte sipas propozimit, kjo do të dobësonte në mënyrë drastike aleancën ushtarake të NATO-s, në të cilën SHBA ka mbajtur pozicionin e saj drejtues për gati 75 vjet.

Trump ka kritikuar më parë lojtarët kryesorë ushtarakë të Evropës për mos shpenzimin e parave të mjaftueshme për mbrojtjen dhe mosdhënien e një shume të përshtatshme në NATO, një pakt i krijuar në vitin 1949. Presidenti bëri thirrje për tërheqjen e SHBA-së nga aleanca edhe gjatë mandatit të tij të parë në detyrë.