Qeveria gjermane të premten mirëpriti vendimin e presidentit amerikan, Joe Biden, që edhe zyrtarisht të ndalë tërheqjen e paraparë të trupave amerikane nga Gjermania, duke thënë se vendosja e këtyre trupave në shtetin gjerman “është në interesin tonë të përbashkët”.

Vitin e kaluar, ish-presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se do të tërheqë rreth 9,500 trupa amerikane nga 34,500 sa janë gjithsej në Gjermani, por tërheqja e tyre nuk ndodhi asnjëherë.

Më 4 shkurt, Biden tha se plani për tërheqjen e trupave do të ndalohej derisa Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, të rishikonte praninë e trupave amerikane në mbarë botën.

Qeveria gjermane e mirëpret këtë njoftim.Ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt me administratën e re amerikane për të parë planet e saj të mëtejme.

Ne gjithmonë kemi qenë të bindur se stacionimi i trupave amerikane këtu në Gjermani i shërben sigurisë evropiane dhe trans-atlantike dhe prandaj është në interesin tonë të përbashkët”- tha Seibert, zëdhënës i Angela Merkel, kancelares gjermane.

I pyetur nëse Gjermania do të bëjë ndonjë ofertë konkrete për të bindur SHBA-në që të mos i tërheqë trupat, Seibert tha se Berlini do të ndjekë zhvillimet, por se si këto rishikime do të shkojnë është çështje e brendshme e SHBA-së.

SHBA-ja ka disa ndërtesa ushtarake në Gjermani, përfshirë edhe Bazën Ajrore Ramstein.