Kryeministri Edi Rama ka dhënë lajmin se është tërhequr nga padia e tij ndaj të përditshmes gjermane “BILD”, ku vitin e shkuar u publikuan përgjime, ku pretendohej ndërhyrje në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2017 në vend.

Lajmin e ka konfirmuar vetë kryeministri Rama me anë të një statusi në Twitter, ku edhe shkruan se ne Konferencën e Sigurisë në Mynih kishte takuar shefat editorialistë dhe për shkak të miqësisë që kishte krijuar me ta, vendosi që të tërhiqej nga padia. 

“Në greqishten e vjetër idiot quhej personi që s’duhet të merrej me çështje të interesit publik, po vetëm me punët e veta. Fatkeqësisht më kanë qëlluar kundërshtarë disa që politikën e kanë si nevojë personale dhe jashtënxjerrin papushim në publik idiotësinë e tyre! Por paçka se fatmirësisht ky popull ua njeh erën prej kohësh dhe as u afrohet më, sqarimet duhen bërë për popullin jo për ta! U njoha me shefat editorialistë të BILD gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih dhe kaluam aq bukur sa nuk pata më motiv për ta vazhduar gjyqin. Njerëzore!” – shkruan Rama.