24 orët e fundit, raportime në media nga të gjitha zonat bregdetare kanë bërë të ditur një tërheqje të dukshme të detit nga toka, e cila në bregdetin e Shëngjinit arrinte deri në 20 metra.

Fenomeni i zbaticës së theksuar është konstatuar edhe në Durrës e Vlorë. Dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale në UAMD dhe një njohës i mirë i detit, profesor Osman Metalla, ka shpjeguar përmes një statusi në rrjete sociale arsyet e këtij fenomeni që ka habitur jo pak qytetarët.

I ndodhur përpara pyetjeve të bëra në adresë të tij nga shumë qytetarë, Metalla shkruan se një fenomen të tillë e ka konstatuar edhe ai vetë në janar të vitit 2018.

Në fakt uljet dhe ngritjet periodike të nivelit të detit njihen me emërtimin batica dhe zbatica, të cilat ndodhin në mënyrë periodike afro çdo 6 orë. Lëvizja e Hënës përreth Tokës bëhet në një kohë prej 24h49m, dhe njëkohësisht distanca e Hënës nga Toka nuk është gjithnjë e njëjtë. Në këtë moment që po shkruaj distanca e Hënës nga Toka është 227 326 milje dhe kjo distancë është e ndryshueshme.

Njëkohësisht edhe Dielli ka tërheqje gravitacionale Në momentin kur Toka, Hëna dhe Dielli janë të rreshtuar fuqia e tyre gravitacionale rritet duke shkaktuar ato që njihen si baticat dhe zbaticat pranverore të cilat janë mjaft të dukshme si rasti i këtyre ditëve.”,– shkruan ndër të tjera profesor Metalla, ndërsa thekson se një shpjegim më gjithëpërfshirës dhe më të detajuar duhet të japin astronomët.

Postimi i plotë:

Kam dëgjuar shumë njerëz që pyesnin sot: Çeshte kjo zbaticë kaq e theksuar?

Një fenomen i cili ishte vënë re nga shumë njerëz edhe për faktin se ishte dite e bukur e me diell dhe mjaft qytetarë kishin dalë ta shijonin këtë ditë buzë detit. Dhe largimi i dukshëm i detit i kishte bërë kurioz, Për më tepër më erdhi një foto nga miku im Arian Dedej i cili më bëri të njëjtën pyetje: Përse është ulur kaq shumë niveli i detit? Dhe për rastësi fotoja që më erdhi ishte marrë pikërisht nga pothuaj i njëjti pozicion që une kisha bërë foto në janar të vitit 2018. Dhe zbatica duket pothuaj e njëjtë…

Në fakt uljet dhe ngritjet periodike të nivelit të detit njihen me emërtimin batica dhe zbatica, të cilat ndodhin në mënyrë periodike afro çdo 6 orë. Lëvizja e Hënës përreth Tokës bëhet në një kohë prej 24h49m, dhe njëkohësisht distanca e Hënës nga Toka nuk është gjithnjë e njëjtë. Në këtë moment që po shkruaj distanca e Hënës nga Toka është 227 326 milje dhe kjo distancë është e ndryshueshme (marre nga aplikacionet).

Njëkohësisht edhe Dielli ka tërheqje gravitacionale Në momentin kur Toka, Hëna dhe Dielli janë të rreshtuar fuqia e tyre gravitacionale rritet duke shkaktuar ato që njihen si baticat dhe zbaticat pranverore të cilat janë mjaft të dukshme si rasti i këtyre ditëve.

Gjithsesi janë astronomët ata që duhet të na thonë diçka më shumë…