Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se nuk ka dashur të vendos menjëherë reciprocitetin me Serbinë, por të shfrytëzojë mekanizmat rajonal që të zgjidhin problemet që ekzistojnë mes Kosovës e Serbisë.
Qeveria e Kurtit nuk e sheh reciprocitetin si zgjidhje të mundshme të mosmarrëveshjeve me Serbinë.
Hajdari ka shtuar se si ministre qëllimi është që të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe të zgjidhë problemet, pavarësisht se Serbia po bën gjithçka që të pengojë Kosovën.
Këto komente, Hajdari i bëri gjatë konferencës rajonale “Ndikimi ekonomik dhe pasojat e krizës” të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës dhe partnerët e saj, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri – Perëndimore dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë të qarkut të Vlorës.
Ky lajm është i papritur pasi i gjithë aktiviteti politik i Lëvizjes Vetëvendosje që prej themelimit ka qenë i bazuar në nevojën për masa reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Para se Albin Kurti të vinte në pushtet, reciprociteti ishte zotimi më i përsëritur i tij. Edhe para zgjedhjeve të fundit, ai tha se reciprociteti do të ishte çështje ditësh apo javësh kur të ulej në karrigen e kryeministrit.