Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, ka njoftuar se do të heqë gjendjen ushtarake që kishte vendosur vetëm disa orë më parë. Deklarata e tij vjen vetëm pak pasi ligjvënësit votuan unanimisht për heqjen e dekretit të presidentit për ligjin ushtarak, me 190 vota pro.
Presidenti Yoon tha se qeveria e tij ka tërhequr personelin ushtarak që ishte dislokuar më parë në disa ndërtesa qeveritare dhe se ai do të hiqte zyrtarisht gjendjen e jashtëzakonshme pas një takimi të kabinetit qeveritar “sapo të mbërrijnë anëtarët e tij”.
Zoti Yoon shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të martën vonë, duke u zotuar se do të eliminonte forcat “anti-shtetërore” ndërsa lufton kundër një opozite që kontrollon parlamentin e vendit, duke e akuzuar atë për simpati ndaj Koresë së Veriut komuniste.
Më pak se tre orë më vonë, parlamenti votoi kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Kryetari i Parlamentit të Koresë së Jugut, Woo Won Shik pas votimit e shpalli “të pavlefshëm” vendimin për gjendjen e jashtëzakonshme dhe theksoi se ligjvënësit “do të mbrojnë demokracinë bashkë me popullin”.
Presidenti Yoon kishte thënë më herët se partitë opozitare kishin marrë peng procesin parlamentar. Ai u zotua se do të çrrënjosë “forcat e paturpshme anti-shtetërore pro-koreane të Veriut” dhe tha se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të merrte masën për të mbrojtur rendin kushtetues.