Ukrainë, 24 mars 2014 – Presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksandër Turcinov urdhëroi tërheqjen e forcave të armatosura nga Krimea. 

“Vendimi u mor pasi trupat ruse kërcënuan ushtarët ukrainas dhe familjet e tyre. Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Mbrojtjes mbërriti në këtë vendim, pas instruksioneve të marra nga Ministria e Mbrojtjes për të kryer zhvendosjen e njësive ushtarake në Republikën Autonome të Krimesë” ,- tha Turcinov.. 

Deklarata e tij erdhi pasi trupat ruse morën dhe bazën detare të Feodosias, e treta që u vu nën kontroll rus, brenda 48 orëve. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Vlladisllav Selezhnov tha se “rusët sulmuan bazën nga dy drejtime duke përdorur granadat tymlëshuese dhe forca të blinduar. 

Trupat ruse kanë marrë thuajse të gjitha bazat e ushtrisë ukrainase në gadishull, përfshirë edhe bazën detare të Feodosia”. Moska e konsideron Krimenë pjesë të saj, pas referendumit që tregoi se 97 % e votuesve kërkuan t’i bashkohen Rusisë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian u përgjigjen me një sërë sanksionesh kundër Moskës, duke vënë në shënjestër zyrtarë të lartë, të cilët i akuzojnë për aneksimin e Krimesë. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/