Besim Cara, vëllai i deputetit Parid Cara, kompanisë së të cilit, sipas një vendimi qeverie i është dhënë një hapësirë prej 80 ha tokë për ndërtimin e varrezave private në Paskuqan, nëpërmjet një reagimi publik, ka thënë se toka në fjalë nuk ishte një dhuratë për të nga ana e Edi Ramës, por një truall i vënë në dispozicion ligjërisht nga qeveria për të investuar për një shërbim dinjitoz. Por pavarësisht kësaj, Cara thotë që do të tërhiqet nga investimi, pas “kryqëzimit” që iu bë sot nga mediat.
“Nëse për mediat shqiptare jam fajtor qe im vëlla është deputet, kjo nuk më bën fajtor mua po tregon mentalitetin e tyre. Në këtë jetë askush nuk më ka dhuruar asgjë dhe toka në fjalë nuk është dhuratë për mua, por një truall i vënë në dispozicion ligjërisht nga qeveria (jo nga Edi Rama) për të investuar për një shërbim dinjitoz që njerëzve sot në Shqipëri u mungon totalisht. Ndërkohë që të vdekurit sot në vendin tonë varrosen njëri mbi tjetrin dhe të gjesh një varr është bërë si të gjesh flori, politika megjithë median nuk lënë ide biznesi dhe biznesmenë të suksesshëm pa u munduar ta varrosin për së gjalli”, shkruan BesimCara.
Më tej gjatë reagimit të tij, Cara shkruan se u udhëhoq nga dëshira për të bërë diçka të mirë, por me keqardhje thotë që do të tërhiqet nga ky investim.
“Prandaj me keqardhje i kam lajmëruar menjëherë ortakët e mi se do të tërhiqem menjëherë bashkë me kuotat e mia dhe i kam sugjeruar të tërhiqen edhe ata. Sepse të investosh në Shqipëri duhet të përballesh jo vetëm me sfidën si investitor, po edhe me stresin e tepërt psikologjik mbi gjithë familjen, përderisa kush shpif me paratë e popullit quhet politikan apo gazetar, dhe kush investon paratë e veta quhet keqbërës dhe hajdut. I paftë hajrin ai popull njerëzve që i tregojnë përralla me gogolë!”, e mbyll reagimin e tij Besim Cara.





