Policia e Durrësit ka identifikuar personin që u filmua pak ditë më parë duke tërhequr zvarrë me karrocë një qen.
Përmes një njoftimi për shtyp, policia e Durrësit bën me dije se kanë bërë të mundur identifikimin dhe procedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit Xh.S. 49 vjeç, banues në Bodinot, Shijak.
Në videon që mund ta shihni duke klikuar këtu, shfaqen 3 persona të hipur në një karrocë me kalë që tërheqin nga pas zvarrë një qen nëpër asfalt. Në video mund të dallohet qartë zëri i qytetarit që i kërkon të ndalojë duke i thënë: “Lëre se është gjynah, e ngordhe”, por personi sipër karrocës i kthehet: “Gjynah ë? Më ka ngrënë pulat”.
Një rast i ngjashëm është regjistruar edhe vitin e kaluar po në rrethinat e Durrësit. Një qytetar nga Xhafzotaj tërhiqte zvarrë pas makinës një qen të gjorë. Në atë kohë, videoja u bë virale në internet dhe komentuesit dënuan rëndë veprimin e burrit. Madje edhe policia e Durrësit nisi procedimin penal ndaj banorit të Xhafzotajt, i cili u identifkua lehtë, falë medieve që bënë publike rastin.





