Një tërmet me magnitudë 7 ballë ka goditur ishullin e Lombokut në Indonezi. Lajmi është bërë i ditur nga Instituti Gjeofizik Amerikan, ndërsa deri tani janë konfirmuar 32 të vdekur.

Autoritetet indoneziane lëshuan fillimisht edhe një alarm për Tsunami, por që më pas e tërhoqën. Epiqendra e tërmetit është lokalizuar rreth 2 km larg Loloan, më perëndim të ishullit, në një thellësi prej 10.5 km.

Lëkundjet e tokës vijnë pas një tërmeti tjetër që goditi ishullin e arqipelagut indonezian, një javë më parë e që i mori jetën 16 personave. Fillimisht u lëshua një apel që i kërkonte popullatës të qëndronte në vende të ngritura, për t’i shpëtuar ndonjë vale të mundshme anormale. Por, më pas, alarmi për Tsunami u tërhoq.

Tërmeti është ndjerë për disa sekonda edhe në bali, ku njerëzit dolën nga ndërtesat. Tërmeti i javës së kaluar bëri që më shumë se 500 alpinistë në një mal në Lombok të mbeteshin të bllokuar dhe u desh një operacion i madh për ti shpëtuar ata.

Indonezia është e ekspozuar ndaj tërmeteve pasi ndodhet në unazën e zjarrit, linjën që përshkon të gjithë oqeanin paqësor, ku përllogaritet se ndodhin 90 përqind të tërmeteve të botës. Po në këtë linjë ndodhet edhe më shumë se gjysma e vullkaneve aktivë të botës. Lombak është një destinacion popullor për turistët për shkak të plazheve të tij por edhe trajektoreve malore.