Nga Mila Ballhysa

Tërmeti me magnitudë 5.3 të shkallës Rihter që tronditi Greqinë mbrëmjen e së dielës shkaktoi jo pak frikë në qytetin e Durrësit, ku një pjese të konsiderushme të qytetarëve ju rikthyen në kujtesë momentet e frikshme të përjetuara dy vite më parë.

Një pjesë e familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 vazhdon të jetojë në pallatet e pariparuara akoma, duke vënë pse jo jetën në rrezik në rast të një lëkundjeje sizmike me magnitudë më të lartë. Pati shumë nga ata që dolën nga shtëpia dhe kaluan disa orë në të ftohtë, pasi i tremben “kurthit” që mund t’i rezervojnë pallatet e pasigurta.

Ndërsa sot, ashtu siç ishte programuar pak ditë më parë u shemb me eksploziv një pallat 8 katësh në lagjen nr.18. Forca e shpërthimit u ndie në të gjithë qytetin duke rikthyer sërish në kujtesën e qytetarëve javët dhe muajt kur shpërthimet ishin më të shpeshta në Durrës.

Dhe për fat të keq nuk është i fundit pallat i dëmtuar nga tërmeti, që do të shembet në Durrës!

Ngjitur me të janë pirgjet me inerte të një pallati të shembur kohë më parë, i cili nuk ka nisur ende të rindërtohet.

A do të ketë dhe ky pallat i shembur sot të njëjtin fat? Një pyetje që pak kush mund t’i kthejë një përgjigje të saktë.

Banorët e pallatit nr. 122 në lagjen nr. 18 në Durrës kanë 3 muaj pa marrë bonusin e qirasë. Ashtu siç kanë edhe rreth 3800 familje të tjera që trajtohen me bonus qiraje në qytetin bregdetar.

Ata presin rindërtimin, presin bonusin, presin që premtimet se do të përfitojnë banesa të reja shumë më të mira se më parë me kushte dhe standarte bashkëkohore” t’u bëhen realitet.

Zv/kryeministri Ahmetaj, më datë 26 tetor, tha në Kuvend se “në fund të shtatorit të vitit 2022 mbarohet me procesin e rindërtimit”.

Kush jeton në Durrës e di se ky është një premtim utopik, por mbase qeveria bën ndonjë mrekulli dhe gjithçka që nuk ka bërë në qytetin bregdetar për 2 vjet do t’i realizojë në harkun kohor të 9 muajve.

Durrësi dhe durrsakët presin dhe do të vazhdojnë të presin…