25 prill 2015 – Një tërmet i fuqishëm prej 7.9 ballësh ka goditur sot Nepalin, me epiqendër në qytetin Pokhara.
Deri më tani, numri i viktimav ka shkuar mbi 1 mijë persona. Pritet që numri i viktimave pritet të rritet sërish në orët në vazhdim, pasi mendohet që të jenë nën rrënoja.
Lëkundjet e tokës që zgjatën rreth 1 minutë u ndjenë edhe në New Delhi dhe të tjera qytete veriore të Indisë.
Nga tërmeti është shembur edhe një prej ndërtesave historike të Nepalit, e ndërtuar në vitin 1832.
Lëkundja e fortë sizmike, sipas institutit amerikan sizmologjik është ndjerë pak përpara mesditës, me orën lokale dhe ka goditur në një thellësi prej 11 km.
Një ministër nepalez ka deklaruar se dëmet e shkaktuara janë masive dhe situata është më emergjente se kurrë, ndaj dhe ka kërkuar ndihmë nga agjencitë ndërkombëtare.
Thirrjes së autoriteteve nepaleze iu përgjigjën të parat Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Uashingtoni njoftoi dërgimin e menjëhershëm të një ekipi emergjencash dhe një shumë prej 1 milion dollarësh përmes USAID-it për të siguruar nevojat më urgjente.
Autoritetet e policisë thonë se ky është tërmeti më i forte që ka goditur vendin në 81 vjet.
Një tërmet i ngjashëm, prej 8.3 ballësh të shkallës Rihter, që ka goditur Nepalin në vitin 1934, ka shkaktuar mbi 8500 viktima.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/