TIRANË, 16 shkurt 2013 – Departamenti i Sizmologjisë i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit në Universitetin Politeknik të Tiranës bëri të ditur se të shtunën, datë 16 shkurt 2013, në orën 10:46:49, ka regjistruar lëkundje të dobëta sizmike në zonën naftëmbajtëse të Ballshit (koordinatat: 40.59° veri, 19.77° lindje).

Tërmeti i lehtë ka ndodhur në thellësinë 12 kilometra dhe ka pasur forcë 3.3, ka mësuar zyrtarisht Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”. Tërmeti është njoftuar dhe nga “Earthquake-Report.com”, pjesë e informacionit të “SOS Earthquakes VZW”, fondacion jofitimprurës i specializuar për tërmetet me qendër në qytetin belg të Mechelen-it.

Shqipëria është një nga vendet me sizmicitetin më të lartë në Evropë.

FISHË INFORMUESE

Pjesë përbërëse të Departamentit të Sizmologjisë janë Rrjeti Sizmologjik Shqiptar, Rrjeti Shqiptar i Lëkundjeve të Forta, si dhe Rrjeti Gjeodinamik. Këto rrjete janë të vetmet, me anën e të cilave realizohet monitorimi dhe studimi i aktivitetit sizmik në Shqipëri.

Një nga detyrat kryesore të këtij departamenti është informimi në kohë reale i opinionit publik dhe organizmave shtetërorë në rastet kur ndodhin tërmete të forta në vend.

Aktualisht, Rrjeti Sizmologjik Shqiptar është i përbërë nga 13 stacione të pajisura me instrumente të ndryshme digjitale, kurse Rrjeti Shqiptar i Lëkundjeve të Forta ka 34 stacione digjitale të shpërndara në qytete të ndryshëm të vendit.

Një sistem i ri digjital, i cili përdor komunikimin satelitor, është tashmë në operim si pjesë e rrjetit sizmologjik.

Shtatë stacione periferike, të cilat transmetojnë në kohë reale, janë instaluar në Sarandë, Peshkopi, Korçë, Bajram Curri, Pukë, Tiranë dhe Vlorë.

(th. m. AGJENCIA E LAJMEVE "Dyrrah”)