Një ditë pas zgjedhjeve administrata publike do përballet me një furtunë shkarkimesh. Gjatë ditëve të fundit ka pasuar një numër të lartë drejtorësh që janë larguar për shkak se kanë marrë pjesë në fushatë, por më 26 qershor të gjithë të punësuarit e LSI-së, pritet që të largohen nga detyra. Sipas burimeve të sigurta pranë kryeministrit Edi Rama, vendimi është marrë dhe nuk do të ketë më bashkëpunim me LSI-në, shkruan e përditshmja “SOT”. Për këtë arsye, më 26 qershor kryeministri do firmosë shkarkimin e të gjithë ministrave të LSI-së, ndërsa bashkë me ta do udhëzohet administrata për të larguar punonjësit e saj. Sido që të jetë rezultati i zgjedhjeve, Rama deri në shtator ka mandatin aktual dhe pritet që të ketë reprezalje në radhët e LSI-së.

Ditët e fundit ka nisur një luftë e fortë mes tyre dhe kjo dëshmohet nga deklaratat publike, që nga LSI janë më të forta. Duke parë këtë situatë, Rama ka përjashtuar mundësinë e një bashkëpunimi me të, ndërsa mund të kemi dhe një bashkëpunim me PD-në. Nga ana tjetër, në marrëveshjen e arritur me Metën në Shkodër, parashikohet që ajo përfundojë pas zgjedhjeve dhe kjo është arsyeja kryesore se përse më 26 qershor Rama do të nisë furtunën në qeveri dhe administratë. Ditët e fundit LSI është akuzuar nga Rama si parti që e ka mendjen vetëm te pushteti dhe i përdor drejtoritë për punësime. Për këtë arsye ai e ka deklaruar se pas zgjedhjeve nuk do ketë më një situatë të tillë. Kjo do të thotë se emërimet politike do marrin fund dhe kushdo që është emëruar me miq apo duke shitur e blerë vota, do largohet nga sistemi. Ndërkohë që ministrat Klajda Gjosha, Edmond Panariti, Lefter Koka dhe Sokol Dervishaj pritet po ashtu që të largohen. Kjo tregon se nuk ka më koalicion PS-LSI sido që të vijojnë punët dhe sido që të dalë rezultati i zgjedhjeve. Kjo ka shtuar dyshimet për një aleancë PD-PS, për që gjithçka mbetet të shihet.

Koalicioni PS-LSI merr fund

Gjatë kësaj jave është dëshmuar qartë se bashkëpunimi mes PS-së dhe LSI-së ka marrë fund. I pari ishte kryeministri Edi Rama, i cili në shumë dalje mediatike shprehej se nuk duhet të ketë vota për partitë e vogla sepse përdorin pushtetin vetëm për të futur militantë në punë. Por ajo që acaroi më shumë situatën ishte nisja e shkarkimeve në radhët e LSI-së, sidomos largimi i drejtorit të postës. Pas kësaj nisi një furtunë tregimesh sidomos nga Ilir Meta. Edhe pse ai është zgjedhur president, pas kësaj situate vendosi që të angazhohet fuqishëm me LSI-në. Dy ditë më parë Meta deklaroi se Task Forca po përdoret si gestapo dhe në përbërje të saj nuk ka asnjë përfaqësues të LSI-së. “Task Forca funksionon si gestapo duke shkelur të gjitha ligjet e shtetit duke dhunuar statusin e nëpunësit civil. Nuk ka përfaqësues të LSI-së, as ministrja e Integrimit, por që të dy bashkë kanë marrë përsipër një mision të dështuar. Dy individë janë bërë bashkë kundër një sistemi demokratik. Është një marrëveshje personale në kurriz të demokracisë, është një marrëveshje që do dështojë”, u shpreh Ilir Meta. Nga ana tjetër dhe Rama nuk ka qëndruar duarkryq. Edhe pse në media nuk e ka akuzuar LSI-në drejtpërdrejt, ai ka udhëzuar bazën që ta godasin sa më fort dhe t’i shkarkojnë njerëzit. Për këtë arsye në shumë bashki të PS-së kanë nisur vala e shkarkimeve, por që gjithçka do kulmojë më 26 qershor.

/SOT/