TIRANË, 3 shtator 2013 – Rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar më 2 shtator 2013, ora 14:53:25 (GMT) ose 16:53:25 (koha verore e Shqipërisë + 2 GMT) një tërmet të lehtë me forcë M=2.2, me epiqendër në thellësinë 7 km. Departamenti i sizmologjisë i universitetit publik Politeknik të Tiranës e lokalizon ngjarjen tektonike në Klos, në koordinatat 41.88°V, 20.19°L (shih etiketën në hartën nr. 2, pika e kuqe). Ndërkohë sizmologët-gjeografë nuk përcaktojnë se në cilin Klos janë lokalizuar lëkundjet e tokës: në qytetin e rrethit të Matit, toponimi më i njohur, apo në Klosin e Mirditës, në Klosin e Elbasanit, në Klosin e Mallakastrës. Por nga identifikimi që ka bërë “Dyrrah”-u me google earth, koordinatat e dhëna bëjnë fjalë për fshatin Klos në komunën e Fanit të Mirditës, kurse ngjarja sizmike ka ndodhur në fshatin Lajthizë të komunës së Oroshit të Mirditës (shih hartën nr. 2, pika e kuqe) në shpatet e malit të Zebës me lartësi më të lartë 1 987 metra mbi nivelin e detit. Vendndodhja e tërmetit llogaritet në lartësinë rreth 1 600 metra mbi nivelin e detit.
Info 1 / Sa Klos-a ka Shqipëria?
Klos-i është një qytet në Shqipëri, qendër e bashkisë së Klosit, që ka në përbërje 14 fshatra, madje edhe një fshat me emrin Klos Katund, nën juridiksionin e rrethit të Matit, qarku i Dibrës. Është një fshat Klos në komunën e Fanit (rrethi i Mirditës, qarku i Lezhës). Është një komunë me fshatin Klos si qendër administrative në rrethin e Elbasanit. Është fshati Klos në komunën Hekal në rrethin e Mallakastrës, qarku i Fierit. Për informim të internautëve të durreslajm.com, mund të përmendet se ka një fshat Kłos në Poloni.
Info 2 / Fshatrat e lëkundjeve të tokës
Komuna Fan përfshin fshatrat Klos, Shtrungaj, Bisakë, Fan, Zall-Xhuxhë, Katund i Ri, Konaj, Shëngjin, Petoç, Xhuxhë, Dardhëz, Thirrë, Sang, Hebë, Domgjon, Gjakëz, Munellë. Komuna Orosh përfshin fshatrat Nënshejt, Reps, Blinisht, Kullaxhi, Gur i Bardh, Gurth Spaç, Kodër Spaç, Peshqesh, Lgjin, Bulshat, Planetë, Mashtërkor, Grykë-Orosh, Lajthizë, Ndërshenë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





