Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje qeverisë që të ftojë zyrtarisht Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për llogaritjen e dëmeve, pas situatës së krijuar në vend nga tërmetet.

Në një deklaratë për mediat, Meta  thotë se të gjithë duhet të shtojmë kontributet pozitive dhe solidare në bazë të përgjegjësive institucionale, politike, shoqërore dhe qytetare.

DEKLARATA E METËS

23 shtator 2019

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta vlerëson ruajtjen e qetësisë nga të gjithë dhe rëndësinë e frymës së bashkëpunimit dhe solidaritetit njerëzor, pa përjashtim, nga aktorët institucionalë, politikë, shoqërorë dhe mediatikë, për normalizimin e plotë të situatës, pas tronditjeve të ditëve të fundit.

Transparenca dhe përgjegjshmëria maksimale për evidentimin e pasojave është tepër e rëndësishme në këto momente.

Në veçanti, vlerësimi teknik i banesave, pallateve dhe godinave të dëmtuara është tepër i domosdoshëm për të ardhmen.

Ndaj duke vlerësuar dhe solidaritetin e vendeve partnere dhe Bashkimit Europian, Presidenti Meta i kërkon qeverisë të ftojë zyrtarisht edhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, që ka kapacitetet e duhura për të përcaktuar sigurinë dhe rezistencën e banesave, pallateve dhe godinave të dëmtuara nga kjo fatkeqësi natyrore.

Keqpërdorimi nga kushdo i kësaj situate, nuk është rruga e duhur për të përballuar një shqetësim të përgjithshëm, në mënyrë të bashkuar dhe të përgjegjshme, vetëm në interes të qytetarëve të traumatizuar nga tronditjet dhe pasojat në banesat e pronat e tyre.

Të gjithë duhet të shtojnë kontributet pozitive dhe solidare në bazë të përgjegjësive institucionale, politike, shoqërore dhe qytetare.