Që nga pasditja e së shtunës, jeta e shumë qytetarëve durrsakë ka qenë ndryshe, pas ankthit të përjetuar prej lëkundjeve sizmike 5.8 dhe 5.5 ballë të shkallës Rihter. Pas kalimit deri diku të panikut që u shihej të gjithëve në sy, strukturat shtetërore u vunë në lëvizje për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe për të nisur evidentimin e banesave të dëmtuara.
Por a ishte në kohën e duhur ndërhyrja e instancave përkatëse? Sipas kreut të Departamentit të Pushtetit Vendor në PD-në e Durrësit, Petro Vokopola, ndërhyrja e Emergjencave Civile ishte totalisht e dështuar.
“Për raste të tilla ekziston një institucion i specializuar, i cili quhet Emergjencat Civile. Që këtu fillon problemi. Sepse janë Ata, të cilët marrin rolin parësor në zonat ku ka fatkeqësi natyrore dhe jo qeveria, e aq më pak për situata të tilla me “grupet parlamentare”, të cilat nuk i shoh fare se ku hyjnë në këtë situatë kritike. Qeveria është totalisht në dispozicion të Emergjencave Civile duke i mbështetur me plotësimin e kërkesave si fonde apo shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Pra deri këtu kemi të bëjmë me një propagandë të pastër mediatike, fjalë boshe e asgjë konkrete. Emergjencat Civile presupozohen të jenë “ëngjëjt mbrojtës të qytetarëve” dhe sekreti i suksesit është koha, shpejtësia me të cilën t’i ndërhyn në situata të tilla. Dhe çfarë pamë? S’pamë asnjë në terren, prisnin Kryeministrin të kthehej në atdhe dhe të bënin atë që do t’u komunikonte nga ERTV, qëndronin në “gatishmëri” përreth kefeneve të Shtabit të Përgjithshëm, i cili ishte ngritur në Prefekturë. Ndërkohë qyteti ishte i tëri në panik, ku qytetari ndihmonte qytetarin dhe aty kuptuam të gjithë që ne paskemi qenë në mëshirë të Zotit”,– thotë Vokopola për DurrësLajm.
Por kritikat e tij nuk ndalen vetëm tek menaxhimi i situatës nga Emergjencat Civile, por edhe nga bashkia dhe kryetarja Valbona Sako. Sipas Vokopolës, zëri i dridhur i kryebashkiakes tregonte se ajo gënjente lidhur me masat e marra në terren për t’u ardhur në ndihmë banorëve të Durrësit që e kaluan natën jashtë prej panikut të përjetuar dhe shtëpive të dëmtuara.
“Kryetarja jonë e bashkisë Valbona Sako ju mbështet frymës së “ERTV” duke deklaruar masat që kishte marrë. Masa krejtësisht gënjeshtër, që e tregonte vetë zëri i saj i dridhur që gënjente! Njerëzit i kishin ardhur në derë të shtëpisë, përballë Bashkisë, fëmijë e të vjetër, të shtrirë përtokë në orët më të ftohta të natës të mbuluar me batanije të marra nga shtëpitë. Në asnjë moment nuk pamë aty as kryetaren e bashkisë që t’i drejtonte ku të shkonin dhe asnjë punonjës të Emergjencës Civile. E gjithë kjo ndodhi sepse ky institucion shërbimi është i tejmbushur me personel partiak, aspak të aftë për pozicionet e tyre dhe janë aty thjesht për të marrë rrogë shpërblyese në këmbim të votave, që ju duhen qeveritarëve një herë në 4 vjet”,-thotë Vokopola.
Kreu i Departamentit të Pushtetit Vendor në PD-në e Durrësit nënvizon kërkesën e kahershme të opozitës, e cila sipas tij e ka ngritur shpeshherë zërin në Kuvend sa herë diskutohej projekt-buxheti, në mënyrë që një fond i veçantë të shkonte pikërisht për Emergjencat.
“Emergjenca Civile duhet të ketë një fond fiks e të konsiderueshëm. i cili futet si zë në buxhetin vjetor të shtetit dhe ky është një detyrim ligjor, Fondi që përdoret për trajnimet e tyre periodike në fusha të ndryshme dhe për ndërhyrjen emergjente në kriza të kësaj natyreje. Zëri është ngritur disa herë në Parlament, kur opozita reale ishte pjesë e diskutimeve të projekt-buxhetit kur votohej në fundvit dhe gjithmonë ka qenë i anashkaluar me fonde të papërfillshme sa për të plotësuar rrogat”,– deklaron ai.
Vokopola thotë se gjatë këtyre ditëve, PD Durrës ka qenë pranë qytetarëve të prekur nga fatkeqësia natyrore e së shtunës dhe sipas tij ishte fat që falë Zotit, “dëmet kanë qenë minimale sepse menaxhimi nga ana e qeverisë ishte shumë larg asaj që kërkohej”.
M.B.





