Arbër Çyrbja, një nga lojtarët që ka luajtur në Superiore me disa skuadra të njohura, ku bie në sy Teuta dhe Kukësi, ka qenë një nga ata që kanë vuajtur nga afër pasojat e tërmetit të rëndë të datës 26 nëntor.
Shtëpia e tij në Durrës ka marrë dëmtime të shumta dhe mesfushori bashkë me familjen është larguar prej saj që pas mëngjesit të tmerrit, pasi ajo tashmë është bërë e pabanueshme. Çyrbja tregon momentin e vështirë që po kalon, por flet dhe për Teutën, ku beson se ndaj Skënderbeut ekipi durrsak do të kthehet te suksesi.
Arbër si e përjetuat tërmetin, pasi ju keni qenë nga më të prekurit?
Çfarë të them, kemi përjetuar tmerr. Por, duhet thënë shyqyr që jemi mirë si familje. Shpresoj që instancat përkatëse të na gjejnë një zgjidhje, sepse bëhet fjalë për shtëpinë ku fusim kokën. Nuk di ç’të them, s’jemi në terezi. Atë mbrëmje, unë dola me shpejtësi pas tërmetit dhe më pas qëndrova jashtë. Duket si një ëndërr e keqe ajo që ndodhi. Ajo që pamë ishte sikur të kishte rënë një bombë. Kudo kishte pluhur dhe njerëz që vraponin dhe ulërinin. Diku kam parë një pamje që nuk do ta harroj kurrë, e cila më tronditi. Kudo kishte shkatërrim dhe rrënoja, gjithçka që mund të dëgjoje ishin zëra dhe të qara nga njerëz që po kërkonin për familjarët e tyre.
Keni një mesazh për qytetarët e Durrësit?
Në këto momente tragjike, mbështetja duhet të jetë nga të gjithë për vëllezërit dhe motrat tona që u goditën nga tërmeti katastrofik. Duhet të qëndrojmë të fortë dhe të bashkuar, pasi vetëm kështu do të arrijmë që ta kalojmë ketë momente të vështirë. Zoti i bekoftë të gjithë!
Pas tërmetit kampionati u ndërpre. Ju penalizoi apo ju erdhi në ndihmë?
Në fakt, na shërbeu për disa lojtarë që kishin probleme fizike, flas edhe për veten. Personalisht, mendoj se me situatën që u krijuar ishte gjeja më e mirë e mundshme ndalesa e kampionati. Tani kemi hyrë në një ritëm të mirë, megjithatë do të mundohem që të jemi në formë deri ditën e ndeshjes, dhe është mirë të marrim anën pozitive, ku na janë kthyer disa lojtarë që kanë pasur probleme.





