Tërmeti i nëntorit 2019 vijon ende të rëndojë në shpinën e familjeve shqiptare ku një pjesë janë prekur nga procese shpronësimi në favor të projekteve të rindërtimit e të tjerë ende nuk kanë një çati mbi krye.

Raporti vjetor i Avokatit të Popullit për vitin 2022 nënvizon edhe një herë këtë pikë njëlloj si vitin paraardhës duke vënë theksin te vëmendja që duhet të kenë insitucionet për të zgjedhur problematikat e atyre familjeve që janë lënë jashtë procesit.

Konkretisht raporti vlerëson se insitucionet nuk janë treguar tërësisht transparente sa i takon strehimit si për familjet e prekura nga procesi i rindërtimit edhe nga ato që janë pjesë e programeve të strehimit.

“Në kërkesat tona kemi kërkuar vazhdimisht informacion lidhur me kohëzgjatjen e procesit administrativ, transparencën e këtij procesi në tërësinë e tij dhe në raste të caktuara e konkrete, fazën në të cilën gjenden, aktet administrative të nxjerra për këtë qëllim. Përgjigjet e marra për këto raste nuk kanë qenë ezauruese si dhe në disa raste kemi konstatuar një qëndrim jo transparent nga institucionet përgjegjëse. Konstatohet se organet përgjegjëse nuk kanë treguar kujdes të shtuar ndaj grupeve në nevojë duke mos i orientuar drejt ato si për familjet që jetojnë në çadra apo mjedise të tjera të përshtatura për strehim ashtu edhe për problematikat e tjera të lartpërmendura të cilat bëjnë pjesë në fushën e strehimit” thuhet në raportin e zyrës së Avokatit të Popullit.

I njëjti raporton se në disa raste të cilat vazhdojnë të ndiqen nga institucioni lidhur me dëmtimet e tërmetit, është evindentuar se akordimi i fondeve të unifikuara sipas nivelit të dëmit, nuk përmbush nevojën për të siguruar riparimin e dëmeve efektive në ndërtesat ku mund të bëhen riparime dhe riforcime sipas specifikës së rastit.

“Për shumë familje, sidomos ato me të ardhura minimale kjo sjell përkeqësim të gjendjes ekonomike të tyre në kushtet kur shihet domosdoshmëria e sigurimit të të ardhurave shtesë për të mundësuar një banesë të sigurt dhe me një standard normal për jetesë. Kjo situatë është reflektuar ndjeshëm edhe tek banorët e zonave rurale të cilët vazhdojnë të jetojnë në kushte të vështira jetese për shkak të pamundësisë së largimit nga zonat e banimit, në kushtet e emergjencës, pasi duhet të kujdesen për ekonominë bujqësore dhe gjënë e gjallë, si të vetmet mjete jetese” nënvizon dokumenti.

Raporti thekson se ende çështja e shpronësimit për interes publik dhe konkretisht ajo për zhvillimin e zonave të reja në Tiranë në Kombinat dhe “5 Maji” mbart shqetësim për mënyrën sesi është zbatuar dhe se duhet të shihet me kujdes kuadri ligjor për të mos shkelur të drejtat e individëve që janë prekur./Monitor