Prokuroria e Durrësit njofton se ka përfunduar hetimet për çështjen e tërmetit të 26 nëntorit. Institucioni i akuzës ka dërguar dosjen për gjykim për 16 të pandehur.
Në dokumentin e Prokurorisë së Durrësit thuhet se hetimet janë kryer për 7 ndërtime, shembja e të cilave më 26 nëntor u mori jetën 23 personave.
Akuzat për 16 të pandehurit përfshijnë “vrasje nga pakujdesia”, “shpërdorim detyre”, “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim i tokës”.
Me konkretisht nga ana e organit të akuzës u dërguan për gjykim në funksion të çështjes penale nr. 2466, viti 2019, të pandehurit si vijon:
1. Ramiz Shehu, i akuzuar për “vrasje nga pakujdesia” 8 herë.
2. Nevjana Isufi, për “falsifikim dokumentesh”
3. Abdulla Osmani, i akuzuar për “vrasje nga pakujdesia”, 2 herë
4. Ruzhdi Xheka, i akuzuar për “vrasje nga pakujdesia”, 2 herë
5. Arben Isaku, i akuzuar për “shpërdorim detyre”,
6. Aldo Dakoveli, i akuzuar për “shpërdorim detyre”
7. Artur Terziu, i akuzuar “falsifikim dokumentesh” dhe ‘shpërdorim i tokës’
8. Artur Çela, i akuzuar për “shpërdorim detyre”
9. Klajdi Lame, i akuzuar për “shpërdorim detyre”
10. Flamur Gjuzi, i akuzuar për “shpërdorim detyre”
11. Albrend Qetka, i akuzuar për “shpërdorim detyre”
12. Skerdi Bello, i akuzuar për “shpërdorim detyre”
13. Artenis Malko, i akuzuar për ‘shpërdorim detyre”
14. Dëshira Qato, i akuzuar për “vrasje nga pakujdesia”.
15. Arben Qato, i akuzuar për “shpërdorim detyre”
16. Kujtim Hasa, i akuzuar për “shpërdorim detyre”
Gjithashtu Prokuroria e Durrësit vendosi pushimin e ndjekjes penale për veprën “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin Defrim Celami si dhe pushimin e ndjekjes penale për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” për shtetsain Ahmet Doda.
Ramiz Shehu do të gjykohet në cilësinë e projektuesit dhe zbatuesit të punimeve të ndërtimit pa leje të banesës së familjes Lala, ku humbë jetën 8 persona: Marjeta Lala, Amelja Lala, Emiljo Lala, Enis Lala, Dionisa Lala, Sahadete Lala, Ilir Lala dhe Grisilda Lala. Ramiz Shehu ka kryer ndërtimin e objektit katër katësh, pa respektuar rregullat dhe normat ligjore në fushën e ndërtimit gjë e cila ka sjellë si pasojë shembjen e objektit dhe vdekjen e tetë personave, ku kujtojmë se shpëtoi vetëm shtetasi Ram Lala pas ndërhyrjes së forcave të kërkim shpëtimit.
Po ashtu, nga verifikimi i dokumentacionit të sekuestruar rezulton edhe një dokument në të cilën është firma e shtetases Nevjana Isufi.
Inxhinieri emrin e të cilin mbante dokumenti u pyet për këtë Plan Rilevimi, dhe ka deklaruar se nga ana e tij as nuk është përpiluar dhe as nuk ishte firmosur një dokument i tillë dhe se Nevjana në mënyrë të kundraligjshme ka vendosur firmën poshtë emrit të tij duke përdorur emrin në dokumentat e hartuara prej saj. Kështu Nevjana Isufi ka konsumuar elementët e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve ”.
Për Abdulla Osmanin, emri i tij del në shembjen e hotel Tropikalit, nga shembja e të cilit kanë humbur jetën dy shtetas kosovarë (dy vëllezërit Shemsedin Abazi dhe Isah Abazi), si dhe kanë pësuar dëmtime të rënda pronari Abdulla Osmani dhe bashkëshortja e tij. Osmani në cilësinë e investitorit dhe ndërtuesit pa leje me veprimet dhe mosveprimet e tij ka konsumuar elementët e veprës penale “Vrasja nga pakujdesia”. Ai ka kryer ndërtimin e objektit pesë katesh+papafingo, pa respektuar rregullat dhe normat ligjore në fushën e ndërtimit.
Ruzhdi Xheka, emri i tij lidhet me “Hotel Mira Mare”, nga shembja e të cilit kanë humbur jetën shtetasit Sotiraq Misha dhe Evjola Broshka. Ky objekt ishte ndërtuar pa lejen e organeve kompetente dhe për të cilin pronari i tij, Ruzhdi Xheka kishte aplikuar duke plotësuar formularin e vetëdeklarimit për legalizim në vitin 2005 dhe më pas edhe me një formular shtesë në vitin 2006. Rruzhdi Xheka në cilësinë e investitorit dhe ndërtuesit pa leje me veprimet dhe mosveprimet e tij ka konsumuar elementët e veprës penale “Vrasja nga pakujdesia”. Xheka pavarësisht se po ndërtonte një objekt ndërtimor pesë katësh me funksion social ekonomik “Hotel”, në kundërshtim me ligjin nuk ka pajtuar asnjë specialist të fushës së projektimit dhe ndërtimit me qëllim kryerjen e studimit gjeologjik, sizmik dhe më pas hartimin e projektit konstruktiv të objektit.
Arben Isaku, në cilësinë e drejtorit të ALUIZNI-t Durrës, duke miratuar legalizimin e objektit 5-kate të “Hotel Mira Mare” pa plotësuar më parë kushtet tekniko-ligjore ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin i ndryshuar “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.
Aldo Dakoveli në cilësinë e Përgjegjësit të Zyrës së Aluizni-t Durrës, duke konfirmuar me anë të nënshkrimit të tij plotësimin për miratimin e legalizimit të objektit 5-kate të “Hotel Mira Mare”, pa u plotësuar më parë kushtet tekniko-ligjore ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin nr.9482 datë 03.04.2006 i ndryshuar “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.
Artur Terziu. Në pallatin nr.1032, i ndodhur në rrugën “ Shoqëria Bashkimi”, lagjia nr.6, Durrës, i cili është shembur në dy katet e para dhe qëndronte si bllok nga kati i tretë (rrafsh me sipërfaqen e tokës) deri në katin e gjashtë, kanë humbur jetën shtetaset Nafije Rexhepi dhe Zhulieta Gjana.
Nga hetimet e zhvilluara rezuloi se objekti gjashtë katësh ishte ndërtuar në vitet 1988-1989 sipas lejes së ndërtimit të vitit 1966 si godinë banimi 6 kate mbi tokë dhe 0 kate nën tokë, me sipërfaqe të gjurmës së ndërtimit 230 m2 dhe me sipërfaqe totale 1406 m2. Në katin e parë të këtij objekti funksionte një aktivitet ekonomik “Bar Barons”, i cili ishte përshtatur nga një apartament me sipërfaqe prej 83.47 m2 si dhe një shtesë objekti pa leje me sipërfaqe 26 m2, në pronësi të Artur Terziu.
Nga hetimet e kryera rezulton se nga ana e Terziut është kryer në kundërshtim me ligjin ndryshimi i destinacionit të pasurisë nga pasuri e llojit banesë (apartament) duke u përshtatur për qëllime tregtare në “Bar Kafe” të emërtuar “Barons” pa lejen e organeve kompetente. Terziu ka konsumuar elementët e veprave penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 199/a/3 dhe neni 186/1 i Kodit Penal.
Artur Çela, në cilësinë e Kryeinspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës i ngarkuar për inspektimin e territorit në të cilin është kryer ndërtimi pa leje, nuk ka ndjekur konstatuar dhe ndaluar punimet për ndërtimin e paligjshëm të kryera nga shtetasi Artur Terziu.
Klajdi Lame, në cilësinë e Inspektorit të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Durrës i ngarkuar për inspektimin e territorit në të cilin është kryer ndërtimi pa leje, nuk ka ndjekur konstatuar dhe ndaluar punimet për ndërtimin e paligjshëm të kryera nga shtetasi Artur Terziu.
Flamur Gjuzi, për çështjen më lart në cilësinë e Drejtorit të Zyrës së Aluizni-t Durrës nuk e ka trajtuar dhe shqyrtuar konform kërkesave ligjore dokumentacionin e paraqitur para tij, por në kundërshtim me detyrimin ligjor ka urdhëruar legalizimin e objektit duke u mbështetur në të dhëna të parregullta në formë dhe në përmbajtje.
Nga sa më sipër rezulton se i pandehuri Albrend Qetka punonjës në sektorin e legalizimeve pranë AUIZNI Shijak, ka hartuar skicat fushore, duke mos paraqitur të dhëna reale dhe duke mos qenë i planizuar në Durrës por në Shijak, këto dokumenta i ka paraqitur më vonë dhe vetëm për të plotësuar praktikën e dokumentave pranë ZVRPP Durrës, në kundërshtim me ligjin.
Skerdi Bello, ka cënuar marrëdhëniet juridike të vendosura për të siguruar veprimtarinë e rregullt të organeve shtetërore të mbrojtura posaçërisht nga legjislacioni penal, që kanë të bëjnë me kolaudimin e objekteve ndërtimore, me legalizimin e ndërtimeve pa leje, me mbikëqyrjen dhe kontrollin e territorit.
Artenis Malko punonjës në sektorin e legalizimeve pranë AUIZNI Durrës, ka hartuar skicat fushore, duke mos paraqitur të dhëna reale të objektit.
Objekti “Hotel Vila Palma”, në zonën e quajtur Shkëmbi i Kavajës, plazh, Durrës, nga shembja e të cilit ka humbur jetën shtetasi Sadik Qato, i cili është babai i bashkëshortit të Deshira Qato dhe pas kërkimeve me orë të zgjatura nga grupet e shpëtimit u arrit të nxirret me jetë nga rrënojat shtetasi Klajdi Qato (djali i shtetases Deshira Qato).
Deshira Qato ka kryer ndërtimin e objektit 8+1 kate, pa respektuar rregullat dhe normat ligjore në fushën e ndërtimit përsa i përket studimit, projektimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit të objektit ndërtimor.
Qato me dashje direkte e ka kryer ndërtimin e shtesës së objektit në mënyrë të kundraligjshme dhe pa lejen e organeve kompetente, duke besuar tek aftësitë e saj apo personave që kanë marrë pjesë në ndërtimin e këtij objekti, se objekti mund të jetë i qëndrueshëm nga pikëpamja teknike, por pasojat e ardhura nga shembja e ndërtesës së ndërtuar nga vetë ajo kanë ardhur nga pakujdesia, pasi ajo nuk i ka parashikuar pasojat që mund të vinin, megjithëse sipas rrethanave në të cilat është kryer ndërtimi ajo duhet ti parashikonte (ajo vetë dhe familja e saj banonin në këtë objekt, ku si pasojë gjeti vdekjen edhe babai i bashkëshortit të saj).
Kujtim Hasa me detyrë Shef i Shërbimeve pranë Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme, veprën penale e ka kryer me mosveprime, duke lejuar që i ndjeri Bajram Hajdarmetaj të futej dhe akomodohej në ambientet e katit të tretë, të Hotelit nr.4, në Shtëpinë e Pushimit, i cili më parë ishte shpallur i pashfrytëzueshëm, duke konsumuar kështu elementët e vepres penale “Shpërdorimi i detyrës”.





