Një tërmet i fuqishëm ka goditur Mianmarin, duke shkaktuar viktima dhe panik masiv, ndërsa lëkundjet janë ndjerë edhe në kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok.
Sipas të dhënave zyrtare, të paktën 144 persona kanë humbur jetën në Mianmar dhe mbi 730 të tjerë janë plagosur. Ndërkohë, në Tajlandë raportohet për 8 viktima dhe 81 persona të bllokuar pas shembjes së një ndërtese. Transmetuesi shtetëror i Mianmarit konfirmoi shifrat, ndërsa ushtria paralajmëroi se numri i viktimave mund të rritet.
Dëshmitarët kanë përshkruar momente kaosi dhe frike. “Dëgjova shumë klithma. Të gjithë dolën në rrugë, u krijua panik i madh. Kishte njerëz që qanin, ishte vërtet e tmerrshme,” tha Paul Vincent, një turist në Bangkok.
Një tjetër dëshmitare tregon për dramën e përjetuar: “Ne dolëm me vrap nga shtëpia kur gjithçka filloi të dridhej. Pashë një ndërtesë pesëkatëshe të shembej para syve të mi. Askush nuk guxon të kthehet më brenda ndërtesave.”
Autoritetet vazhdojnë operacionet e kërkimit dhe shpëtimit, ndërsa banorët e zonave të prekura përballen me pasojat e rënduara të katastrofës natyrore.