Pasditen e sotme Tirana është goditur nga një tërmet me magnitudë 3.7 të shkallës Rihter, me epiqendër 6 km në Jug të Klosit.

Sizmiologu Rrapo Ormeni tha se zona e Klosit është një zonë që njihet për tërmete të kësaj magnitude që nuk shkaktojnë dëme. Ai e ka konsideruar vetëm një koincidence datën dhe orën e njëjtë me tërmetin e 2 viteve më parë.

“Zona që ka rënë tërmeti është njohur për tërmete të kësaj magnitude. Në tërësi në këtë zonë bien tërmete të vegjël që nuk shkaktojnë dëme. Tërmete të kësaj magnitude bien në këtë zonë. Nuk ka lidhje me tërmetin e dy viteve më parë epiqendra e të cilit ishte në Durrës. Nuk kanë lidhje pavarësisht koincidencës në datë dhe orë. Në Klos bien vetëm tërmete të këtij niveli magnitude” tha sizmiologu për News24.

Ndërkohë mësohet se bashkia e Dibrës ka ngritur shtabin e emergjencës për dëmet e mundshme që mund të ketë shkaktuar kjo lëkundje.