Mianmari, tashmë i shkatërruar nga lufta civile dhe një krizë të thellë politike, ka përjetuar një tërmet shkatërrues me magnitudë 7.7, i cili ka lënë pas mbi 1.000 të vdekur deri tani. Bilanci mund të rritet ndjeshëm, pasi shumë zona ende nuk janë arritur nga ekipet e shpëtimit. Dëmet janë masive, dhe shifra e viktimave mund të arrijë në mijëra.

Kombet e Bashkuara kishin paralajmëruar për një krizë humanitare të thellë në Mianmar, ku, përpara tërmetit, miliona civilë po vuanin nga pasojat e luftës civile, që filloi pas grushtit të shtetit ushtarak më 1 shkurt 2021. Trazirat e brendshme kanë shpërbërë jetën e shumë qytetarëve, dhe më shumë se 18 milionë persona kishin nevojë për ndihmë humanitare.

Pas tërmetit, liderët ushtarakë të Mianmarit kanë kërkuar ndihmë ndërkombëtare, dhe kanë marrë përgjigje nga Kina dhe India. Në qytetin e dytë më të madh, Mandalay, ku ndodhi edhe epiqendra e tërmetit, ekipet e shpëtimit po luftojnë me kohën për të shpëtuar të mbijetuarit që ndodhen nën gërmadha. Megjithatë, mungesa e makinerive të mëdha dhe kushtet e vështira të terrenit po e bëjnë tërheqjen e të mbijetuarve një mision jashtëzakonisht të vështirë.