TIRANË, 28 korrik 2013 – “Budallallepsen” kompjuterët apo njerëzit në fundjavë, këtë nuk e dimë, por ka ndodhur një episod i veçantë, që dëshmon për rrumpallën, ku janë përfshirë dhe institucionet publike arsimore-shkencore. Ka ndodhur diçka e pashpjegueshme, kontradiktore, e faktuar grafikisht. Në orët e para pas mesit të natës së 28 korrikut në sajtin e Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të universitetit publik Politeknik të Tiranës shfaqet njoftimi se më 27 korrik 2013 ora 13:29:11 GMT (15:29:11, sipas kohës së Shqipërisë ) është regjistruar një tërmet me magnitudë M=2.6, me epiqendër në thellësinë 24 km, 18 km në vijë ajrore në juglindje të qytetit të Tiranës. Por pika e kuqe që tregon vendndodhjen e ngjarjes sizmike është në… Mirditë (shihni faksimilen e hartës nr. 1 të sajtit të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit). Referuar koordinatave 41.77°N, 19.94°E të hartës nr.1, lëkundjet e tokës kanë ndodhur në rrethin e Mirditës të qarkut të Lezhës (shih hartën nr. 2 sipas Google-it), në afërsi të fshatrave Prosek e Perlat të komunës së Kthellës.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





