Politika shqiptare ka reaguar pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 6.9 ballë që goditi këtë të premte Turqinë dhe Greqinë.

Përmes postimive në rrjete sociale, politikanët shqiptarë kanë shprehur solidaritetin me populin turk.

“Thellësisht i tronditur nga tërmeti që goditi këtë mesditë ishullin grek të Samosit dhe preku rëndë edhe qytetin e Izmirit. Lëkundjet e tërmetit u ndjenë në 4 shtete, më së shumti në Turqi e Greqi, por edhe në Bullgari deri edhe në Shqipëri. Ky është një moment solidariteti njerëzor dhe reflektimi për t’u qëndruar pranë familjeve të viktimave dhe autoriteteve të Turqisë dhe Greqisë për të përballuar dëmet e shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore. Unë dhe gjithë populli shqiptar u qëndron pranë popujve miq Turk dhe Grek, me urimin për të përballuar këtë situatë të vështirë dhe lehtësuar dhimbjen familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre. Shqipëria do t’u gjendet pranë vendeve mike me të gjithë kapacitetet e mundshme të saj.”, shkruan Presidenti Ilir Meta në Facebook.

“Po ndjek me shqetësim të madh lajmet tronditëse nga Turqia. Ngushëllimet e mia më të thella janë për familjet e viktimave të tërmetit. Ju uroj shërim të plagosurve, forcë, kurajo dhe solidaritet me popullin dhe autoritetet e Turqisë në përballimin e kësaj tragjedie të rëndë.”, shkruan kryedemokrati Lulzim Basha në Twitter.

“Me tronditje mora lajmin për tërmetin shumë të fortë që goditi sot në mesditë Sanmosin, Izmirin dhe zonat perreth. Në këto çaste të rënda, Kuvendi i Shqipërisë dhe gjithë populli shqiptar, janë pranë popujve tanë miq e fqinj dhe shprehim dhimbjen e solidaritetin me qytetarët dhe familjarët e viktimave. Jam i bindur se kjo goditje e natyrës nuk do t’i gjunjëzojë fqinjët tanë, me të cilët kemi ndarë, ndajmë e do të ndajmë gëzimet dhe pasojat e fatkeqësive.”, u është drejtuar me telegram homologëve të tij kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

“Lutjet tona shkojnë për të gjithë miqtë tanë ne Izmir dhe ishullin Samos. Tirana e njeh shumë mirë fuqinë shkatërruese të tërmeteve vdekjeprurëse. Bëhuni të forte”, shkruan kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në Twitter.