Gjysmë viti nga tërmeti shkatërrues në Turqinë jugore, shoqata e mjekëve e këtij vendi ka paralajmëruar për dëme shëndetësore afatgjate.

Tërmeti 7.8 ballësh e goditi Turqinë juglindore më 6 shkurt të këtij viti, duke shkaktuar shkatërrim të madh. Dridhja fillestare u përcoll nga një seri dridhjesh të tjera.

Dhjetëra mijëra njerëz u vranë dhe miliona të tjerë mbetën pa shtëpi. Tani, rrënojat janë hequr pothuajse plotësisht, por problemet shëndetësore afatgjata po vazhdojnë, ka thënë për DPA Selahattin Mentes, kryetar i Shoqatës së Mjekëve në qytetin Adana, në jug të Turqisë.

Gratë dhe fëmijët janë posaçërisht në rrezik, tha ai. Ka mungesë të të ushqyerit të baraspeshuar, i cili mund të shkaktojë çrregullime në zhvillim te fëmijët. Në rrezik janë edhe gratë shtatzëna.

“Një numër i madh i lindjeve të parakohshme dhe abortimeve janë vërejtur në këtë rajon”- theksoi Mentes, raporton REL. Operacione të vështira duhet të kryen në Adana, dhe spitalet atje janë të mbingarkuara tashmë. Mjekët në këtë rajon të Turqisë kanë vërejtur edhe një rritje në depresion.

Ka pasur shumë vdekje, njerëzit kanë humbur gjithçka dhe jeta që ata kanë tani u ofron pak atyre”, shtoi ai.

Ai i akuzoi autoritetet se i kanë hedhur në mënyrë të pakontrolluar rrënojat nga ndërtesat e rrëzuara. Ata nuk e dinin nëse ato përmbanin toksinë, si asbest, dhe nëse ato do të depërtonin deri në tokën ujore. Ai tha se mungesa e këtyre njohurive është telash i madh.

“Ne nuk e dimë se si do të jetë shkalla e kancerit të mushkërive në pesë apo 10 vjetët e ardhshme, ashtu siç nuk e dimë se si ushqyerja e dobët do të ndikojë në zhvillimin e fëmijëve”, përfundoi ai.