Një lëkundje e fortë sizmike sjell me vete shkatërrim, por nga rrënojat dhe dëmet shpesh mund të lindë një perspektivë e re zhvillimi.
Më 17 dhjetor 1926, Durrësi përjetoi një fatkeqësi natyrore, por tërmeti krijoi premisat që të merrte jetë projekti për ndërtimin e asaj që ndër vite ka ndryshuar shpesh emërtim, por që banorët autoktonë e kanë identifikuar gjithnjë si Rruga tregtare.
Si u ideua Rruga Tregtare
Ishin projektuesit italianë ata që ideuan dhe zbatuan projektin e atij, që sot njihet si bulevardi “Epidamn”.
“Dokumentat tregojnë se ishin italianët ata që e konceptuan, e ideuan bulevardin. Bulevardi ishte boshti kryesor i veprimtarisë qytetare durrsake të asaj kohe. Ishte konceptuar si një rrugë tregtare, pak a shumë si ajo që në botën romake njihet si kardio, pra praktikisht rruga kryesore e qytetit”,- tregon studiuesi Dorian Hatibi.
“Në arkitekturën e fasadave arrijmë të dallojmë dy kategori shumë të reja dhe të veçanta. e para lidhet me ballkonin kryesor, ishte një nga karakteristikat e arkitekturës italiane. Nëse konsiderojmë një qytet fortësisht otoman me rrugicë gjarpëruese, nga momenti i Italisë ndërtimi i bulevardit të ri me ndërtesat në të njëjtën linjë solli një mentalitet të ri të komunikimit mes banesës, fasadës dhe rrugës”,- thotë për “DurrësLajm” urbanisti Artan Kacani.
Është rruga që mikson antikitetin me modernizmin dhe në të njëjtën kohë është dëshmi konkrete historike e zhvillimit urban të Durrësit në 100 vitet e fundit, siç nënvizojnë për “DurrësLajm” edhe ekspertët Hatibi e Kacani.
“Ishte konceptuar në mënyrë të atillë që të shtriheshin buzë saj të gjitha dyqanet e rëndësishme të Durrësit. Është një moment kur mund të fillojmë të flasim për një Durrës modern. Fatkeqësia e 17 dhjetorit 1926 bën krisjen e madhe midis Durrësit mesjetar dhe Durrësit modern”.
“Italianët në këtë rast zgjodhën katet përdhese, që t’i kishin më të larta, pra të bënin kati nobël, në mënyrë që t’i ekspozonin dhe të kishin një vitrinë gjithnjë e më të madhe. Po flasim për një periudhë ku shumë produkte ishin të rëndësishme për popullsinë e Durrësit, kryesisht ato që lidheshin me fushën e shëndetësisë.. Pra po flasim për farmacitë e para, dyqanet për produktet e kozmetikës apo ato intimo. Por edhe shumë produkte të tjera që më parë popullsia shqiptare nuk i kishte pasur”.
Projekti për bulevardin do të shërbente si udhërrëfyes për një tjetër aks kryesor të qytetit antik. Bulevardi “Dyrrah” u ndërtua si zgjatim i Rrugës Tregtare, duke ruajtur shumë nga fizionomia e qendrës së qytetit, që ideuan italianët në dekadat e para të shekullit XX.
“Ky ishte një nga modelet që më pas vijoi në të gjithë transformimet e rëndësishme të qyteteve shqiptare. në pikën ku ndodhemi jemi në një moment, ku zgjatimi i bulevardit të Rrugës Tregtare mendohej që të vazhdonte edhe më tutje në qytet, në stacionin hekurudhor të ardhshëm. Krijimi i bulevardeve krijoi ato që ishin dy pikat kryesore të shesheve. nga një anë një shesh administrativ dhe nga krahu tjetër një shesh i argëtimit dhe muzikës”,- thotë urbanisti Kacani.
Rruga Tregtare gjatë viteve të komunizmit
E konceptuar si rruga moderne që përshkonte qendrën historike të qytetit bregdetar, ajo e ruajti për pak vite identitetin fillestar të saj. U emërtuar fillimisht bulevardi “Zogu I” dhe më pas rruga “Victor Emmanuel”. Pas Luftës së Dytë Botërore dhe instalimit të regjimit komunist, rruga do të merrte emrin e një tjetër drejtuesi shteti. “Enver Hoxha” ishte emërtimi i ri i saj duke treguar kështu se qyteti dhe rruga po përshtatej me këtë realitet të ri.
“Komunizmi nuk mund ta prekte më rrugën, sepse rruga ishte kthyer në një identitet për qytetin, ishte kthyer në një hapësirë identitare. Komunizmi ndërhyri shumë pak tek rruga, përgjatë viteve kështu që detyrimisht rruga e ruajti fizionominë e vet dhe ajo çfarë ndryshoi ndërkohë ishte marrëdhënia me tregtinë. Ndërsa fillimisht ajo ishte ndërtuar si një hapësirë për tregtarët, tashmë që tregtia mungonte rruga duhet të ndryshonte edhe objektin e vet. Dhe kështu nisi të përshtatej në forma të ndryshme, ku shteti kontrollonte çdo hapësirë dhe ato pak hapësira që ishin në shërbim të qytetarëve ishin gjithnjë të shtetëzuara“,- thotë studiuesi Hatibi.
Por përshtatja me realitetin e realizmit socialist do pasohej me ndryshime të rëndësishme në ambientet e brendshme të banesave përgjatë dy anëve të rrugës.
“Kemi të bëjmë me transformime të rënda dhe të sforcuara të ndodhura që nga periudha e komunizmit. Kujtojmë që shumë nga këto vila janë përdorur në mënyrë të padrejtë duke vendosur shumë familje, duke ua marrë pronat historike dhe duke i transformuar mjediset e brendshme. Zakonisht edhe duke hequr një seri materialesh ndërtimore që mbase nuk dukeshin shumë të kushtueshme për kohën siç ishte mermeri dhe shumë të tjera. Ndryshuan kështu funksionin dhe memorien. Periudha e komunizmit i ka dhënë një grusht kësaj arkitekture dhe funksionit të godinave”,– deklaron Kacani.
Në vitet e demokracisë
Pas 45 viteve të regjimit komunist, ku shteti kontrollonte gjithçka, vitet ’90 e rikthyen Rrugën Tregtare në identitetin e saj fillestar, atë që kishin hedhur në letër dikur projektuesit italianë.
E ndërsa funksionin tregtar vijojnë ta ruajnë rigorozisht dy bulevardet kryesore të qytetit, bumi i ndërtimeve në 30 vitet e fundit ka transformuar planin rregullues të qytetit të hartuar në vitet 20 të shekullit të kaluar. Dhe jo rrallë kaosi urban dominon aty.
“Në antikitet Durrësi kishte një rrjet urban të tillë që ishte shumë i rregullt, shumë harmonik. Arkitektura moderne nuk e synon më detyrimisht harmonizimin apo simetrinë. Dhe fatkeqësisht kjo gjë ka ndodhur në Durrës. jo vetëm në bulevard, por në të gjithë Durrësin shikon shpeshherë shfaqje personalisht për mua të shëmtuara, ku simetria nuk respektohet në asnjë moment, harmonia nuk respektohet në asnjë moment, kështu që krijohet shpeshherë një stres viziv”.
Kompleksi i banesave përgjatë dy anëve të bulevardit përbën atë që mund të konsiderohet ansambël urban, që qyteti trashëgoi nga shekulli i kaluar. Por mungesa e strategjisë për të ruajtur të paprekur arkitekturën e godinave ka dëmtuar tashmë disa prej tyre.
Problemi i vërtetë është që godinat karakterizohen vetëm si ndërtesa të kategorisë së dytë të mbrojtjes, por mungon vullneti edhe nga aspekti bashkiak, që të udhëzojë vërtet se çfarë do të thotë një arkitekturë e Durrësit, çfarë do të thotë një arkitekturë origjinale për vendin ku jetojmë”,– thotë urbanisti Kacani.
Fatkeqësia natyrore e vitit 1926 krijoi krisjen e madhe midis Durrësit mesjetar dhe Durrësit modern duke i “dhuruar” qytetit një nga lagjet më historike dhe më identitare të tij.
Po kohët moderne çfarë do t’i “dhurojnë” qytetit në 100 vitet e ardhshme?!
M.B.