6 vite pas tërmetit në Durrës, kryebashkiakja Emiriana Sako flet për ecurinë e procesit të Rindërtimit dhe çfarë po ndodh me gjimnazin “Gjergj Kastrioti”, ku 2 vite më parë u bë një zbulim mjaft i rëndësishëm arkeologjik.
E pyetur nga “Durrëslajm”, Sako bëri të ditur se rreth 200 familje të mbetura të pastreha nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019 kanë marrë çelësat e apartamenteve të reja në sitin e Spitallës, ku me fondet e Emirateve të Bashkuara Arabe u ndërtuan 996 apartamente. Sipas kryebashkiakes, procesi i shpërndarjes së çelësave, që nisi në muajin shtator vijon dhe të tjera familje do të vazhdojnë të futen në shtëpitë e reja.
“Shpresojmë që lagjja e re do t’i kthehet normalitetit dhe rijetëzohet shumë shpejt”,– tha Sako ndër të tjera gjatë fjalës së saj.
Ndërkohë, i vetmi gjimnaz që ende nuk ka nisur së rindërtuari në Durrës, për shkak të gjetjeve mjaft të rëndësishme arkeologjike që u evidentuan nga arkeologët gjatë gërmimeve është ende në fazën e realizimit të projektit.
Sipas Sakos, shkolla e mesme “Gjergj Kastrioti” do të jetë i vetmi institucion arsimor në rajon që do të bashkëjetojë me një monument kulture.
“Pra do të jetë rasti i parë, jo vetëm në Shqipëri, por besoj dhe në rajon që do të kemi një shkollë që bashkëjeton me një monument kulture, por ajo që është e rëndësishme është që nuk duam të vëmë theksin vetëm tek ndërtimi i shkollës, por duam që t’i trajtojmë në të njëjtën vlerë edhe gjetjet, edhe monumentet e gjetura në këtë zonë, në mënyrë që të zgjidhim disa çështje të sigurisë dhe të aksesit, sepse duke qenë një shkollë do të ketë sfidat e veta për t’u aksesuar gjatë të gjithë kohës”- tha ajo ndër të tjera.
DurrësLajm: 6 vite pas tërmetit si është ecuria e procesit të Rindërtimit dhe sa apartamente janë shpërndarë në lagjen e re në Spitallë?
Sot është një ditë e rëndësishme e historisë së qytetit tonë, por edhe një ditë që ka shënuar një ngjarje të vështirë për qytetarët dhe qytetin e Durrësit. Këto vite kanë qenë vite me punë shumë intensive, kemi bërë një punë të madhe qoftë me shkollat, kopshtet, çerdhet. Janë bërë rreth 40 objekte, të cilat ne vetë sigurisht që nuk mund t’i ndërtonim dot me buxhetin tonë, por kemi pasur mbështetje të madhe nga qeveria dhe donatorët e huaj për programin EU4Schools.
Nga ana tjetër janë rikonstruktuar një numër i konsiderueshëm i objektesh DS4 dhe janë drejt përfundimit një pjesë e tyre, të cilat kanë filluar vitet e fundit.
Lajmi i mirë është që prej shtatorit ne kemi nisur të ndajmë çelësat në lagjen e re të Rindërtimit dhe rreth 200 familje kanë tërhequr tashmë çelësat e apartamenteve të reja. Jemi në proces dhe mendojmë që procesi do të përfundojë shpejt, sepse punojmë hap pas hapi me dorëzimin e çelësave nga ana e kompanive që kanë bërë ndërtimin. Shpresojmë që lagjja e re do t’i kthehet normalitetit dhe rijetëzohet shumë shpejt.
DurrësLajm: Po me shkollën “Gjergj Kastrioti” çfarë po ndodh?
Shkolla “Gjergj Kastrioti” ka pasur një problem kompleks, ashtu si edhe shkolla “Eftali Koçi”, por tek “Gjergj Kastrioti” kemi pasur gjetje shumë të rëndësishme, mozaikë dhe ndërtime të kohës romake, që i përkasin shek. II të erës sonë. Janë monumente shumë të rëndësishme për qytetin e Durrësit. Jemi duke përfunduar projektin arkitektonik dhe pjesën tjetër të infrastrukturës, për të bërë të mundur që në njollën, ku arkeologët na kanë lejuar të mund të zhvillohet ndërtimi i shkollës, ndërsa pjesa tjetër do të kthehet në një muze të hapur, të vizitueshëm.
Pra do të jetë rasti i parë, jo vetëm në Shqipëri, por besoj dhe në rajon që do të kemi një shkollë që bashkëjeton me një monument kulture, por ajo që është e rëndësishme është që nuk duam të vëmë theksin vetëm tek ndërtimi i shkollës, por duam që t’i trajtojmë në të njëjtën vlerë edhe gjetjet, edhe monumentet e gjetura në këtë zonë, në mënyrë që të zgjidhim disa çështje të sigurisë dhe të aksesit, sepse duke qenë një shkollë do të ketë sfidat e veta për t’u aksesuar gjatë të gjithë kohës.
Kemi ngritur një grup të përbashkët mes bashkisë Durrës dhe Ministrisë së Kulturës, të cilët po punojnë në mënyrë që të dy aseset, pra edhe ndërtimi i shkollës edhe gjetjet arkeologjike të vlerësohen në mënyrë të barabartë për të pasur vlerat që i takojnë qytetit të Durrësit.
M.B.





