Një tërmet me magnitudë 6.2 ka tronditur Italinë Qëndrore, duke lënë pas vetëm shkatërrim. Ndërkohë që nuk ka ende një bilanc të saktë viktimash, mediat publikojnë pamjet e tmerrit dhe raportojnë se ka të paktën 13 viktima, mes tyre fëmijë, ndërkohë që shumë të tjerë janë të zënë nga rrënojat. 

Tërmeti i parë dhe më i fortë ka qenë ai me magnitudë 6,2 dhe thellësi 4 km, i cili ka goditur rreth orës 03:36 në zonën e Accumoli.

Mediat, referuar autoriteteve raportojnë se pas tij ka pasur disa lëkundje të tjera, por tërmeti i dytë i fortë me magnitudë 5,4, ka rënë rreth orës 04:33 me epiqendër pranë Peruxhias dhe me thellësi 8,7 km.

Viktimat e para u konfirmuan nga shembja e banesës së tyre në Pescara të Trontos, një zonë në Arquata.

Konfirmimi vjen edhe nga karabinierët, të cilët theksojnë se viktimat janë një çift të moshuarish, të cilët i kanë zënë rrënojat e banesës.

 Kryekomunari i Amatrice, njërës nga zonat më të goditura nga tërmeti ka deklaruar se gjysma e tij tashmë nuk është më, është zhdukur nën rrënoja.

Njerëz që nxirren nga rrënojat, të tjerë të lënduar, shumë të tjerë sipas policisë kanë mbetur nën to dhe nuk dihet fati i jetës së tyre, janë vetëm një pjesë e pamjeve të tmerrshme që vijnë nga Italia.