Athina zyrtare ka reaguar sërish pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama nga takimi me diasporën në Selanik se termi “Vorio Epir ka vdekur”.
I pyetur nga gazetarët grekë në konferencën për mediat që zhvillohet dy herë në javë se cila është përgjigja e Athinës ndaj deklaratës së kryeministrit Rama, zëdhënësi i qeverisë Pavlos Marinakis ka deklaruar se Vorio Epiri mund të mos ekzistojë për Ramën, por sipas tij, është e vetëkuptueshme që në Shqipëri jeton minoriteti etnik grek me të drejtat e tij.
Ai ka shtuar se rruga e Shqipërisë drejt Evropës kalon nga Athina.
“Epiri i Veriut mund të mos ekzistojë për zotin Rama, por besoj se është e vetëkuptueshme që në Shqipëri jeton minoriteti etnik grek me të drejtat e tij. Respekti ndaj tyre dhe në përgjithësi repsketi për minoritetin etnik grek në Shqipëri është një kusht i qartë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, sipas qëndrimit unanim të 27 vendeve anëtare, siç theksoi me të drejtë Ministria e Jashtme. Me pak fjalë, rruga e Shqipërisë drejt Evropës kalon nga Athina, kalon nga Greqia dhe ka një kusht që askush nuk mund ta anashkalojë, i cili është respekti i minoritetit etnik grek në Shqipëri”, ka deklaruar Marinakis.