Një ditë më parë, “DurrësLajm” trajtoi problematikën e krijuar javët e fundit në terminalin e kontejnerëve për shkak se të gjitha operacionet e ngarkim-shkarkimit kryhen vetëm nga një vinç.
Kjo gjë shkakton vonesa të shumta për operatorët, shton ditët e qëndrimit të mjeteve lundruese në kalatë apo në radë, rrit kostot financiare etj.
Por duket se këto nuk qenkan problematikat e vetme. Një denoncim ka ardhur sot pranë redaksisë sonë, që ngre një tjetër shqetësim, që këtë herë lidhet me punonjësit e terminalit.
Sipas denoncuesit, punonjësit kanë pakënaqësi të shumta lidhur me trajtimin financiar, pasi megjithëse janë i vetmi sektor që mbledh të ardhura të konsiderueshme për Autoritetin Portual Durrës, ata diskriminohen në pagesa e shpërblime, ndërkohë që krejt e kundërta ndodh me administratën.
“Drejtoria APD-se në muajin Qershor ndau shpërblime për të gjithë punonjësit duke përfshirë dhe vetëveten por nuk i përfshiu punojsit e terminalit të kontenierve të cilët punojnë 24/7 pa ndërprerje dhe në kushte të vështira atmosferike.
Ashtu si e keni parë dhe në postime që bën shpesh APD terminali i kontenierësh ka një rritje për 15 % na viti që shkoj për njësi TEU. Por kjo nuk vlersohet nga Drejtoria e APD që mohon shpërblimet për punojsit e terminalit të kontenierve dhe ju bën një rritje për 2.3% ku për vete marrin një rritje për 16 %.”,- shkruan denoncuesi.
Në të njëjtën kohë ai thekson se ky trajtim me dy standarte nga ana e drejtorisë, mund të çojë në ndërprerje të punës javën që vjen dhe nisjen e një greve.
“Mosvlersimi i punonjësve të terminalit të kontenierve si dhe sjellja e Drejtorise me dy standarde ka sjellë në situatë të pakëndshëme për punonjësit aty. Ku dhe do çoje ne ndërprerje të punës gjatë javës që vjen kjo në formë proteste duke u përshkallëzuar më pas në grevë”,- shkruan denoncuesi.
“DurrësLajm” mëson se ditën e premte është zhvilluar një takim mes drejtorisë së APD-së dhe sindikatës së punonjësve të terminalit, por burimet janë shumë të rezervuara për të zbuluar detaje nga takimi.
Nisur nga situata kritike e krijuar në terminalin e kontejnerëve, duket se është shkarkuar nga puna drejtori operacional dhe në vend të tij është emëruar Ilir Hoxha, që e ka mbajtur këtë post vite më parë, por lajmi ende nuk është konfirmuar nga burime zyrtare.
Denoncimi i plotë:
Përshëndetje, Është e vërtetë që është këputur spereidi i një vinçi (itlgru) por nuk është e vërtetë që ka rënë mbi anije (për këtë mund t’i drejtoheni MSC-se ) apo ka shkaktuar dëme të tjera përveçse dëmit që është këputur spereidi.
Arsyeja e vërtetë që përpunohet me një vinç nuk është vetëm që është prishur spredi pasi ka në dispozicion spereida të vinçave të tjerë por sepse bordi ka miratuar një indeksim pagash prej 16 % për administratën dhe punojsit e tjerë dhe ka veçuar punojsit terminalit e kontenierëve me vetëm 2.3 % kjo ka irrituar të gjithë punonjësit e terminalit.
Duhet të theksojmë se terminali i kontenierësh akumulon rreth 60 % të të ardhurave të përgjithshme që mbledh porti (mund të shikoni pasqyrat financiare tek faqja e APD-se). Por jo vetëm sikur mos të mjaftonte kjo Drejtoria APD-se në muajin Qershor ndau shpërblime për të gjithë punonjësit duke përfshirë dhe vetëveten por nuk i përfshiu punojsit e terminalit të kontenierve të cilët punojnë 24/7 pa ndërprerje dhe në kushte të vështira atmosferike.
Ashtu si e keni parë dhe në postime që bën shpesh APD terminali i kontenierësh ka një rritje për 15 % na viti që shkoj për njësi TEU. Por kjo nuk vlersohet nga Drejtoria e APD që mohon shpërblimet për punojsit e terminalit të kontenierve dhe ju bën një rritje për 2.3% ku për vete marrin një rritje për 16 %.
Mosvlersimi i punonjësve të terminalit të kontenierve si dhe sjellja e Drejtorise me dy standarde ka sjellë në situatë të pakëndshëme për punonjësit aty. Ku dhe do çoje ne ndërprerje të punës gjatë javës që vjen kjo në formë proteste duke u përshkallëzuar më pas në grevë.
M.B.





